>
BIOSHQIP

Projekte Shumë Serioze Për Djemtë E “Baboo Darabuka”

03-04-2014
​Ndonëse ende po shijojnë suksesin e projektit të fundit të titulluar ‘Summer Love’, djemtë e grupit ‘Baboo Darabuka’ nuk kanë të ndalur. Alban Sejdiu, anëtar i grupit, për gazetën Tribuna ka treguar se së shpejti do të vijnë me risi e një bashkëpunim shumë interesant.

Janë të pëlqyer shumë nga publiku e këtë e dëshmon edhe angazhimi i tyre i shpeshtë nëpër mbrëmje muzikore. Bëhet fjalë për djemtë e grupit ‘Baboo Darabuka’ të cilët në një bisedë kanë shpalosur të rejat e angazhimet e tyre.

Alban Sejdiu njëri ndër anëtarët e grupit ka thënë që së shpejti në publik do të lansohet bashkëpunimi me këngëtaren Dafina Dauti, ku ata janë të ftuar si mysafir.

“Ne jemi ftuar nga Dafina për një bashkëpunim. Kënga do të dalë shumë shpejt. Ajo titullohet "S'ka rëndësi". Kësaj kënge e kemi në plan t’ia bashkëngjisim edhe videoklipin”, ka thënë ai.

Nuk pëlqejnë të flasin për të holla...

Ndërkaq kjo nuk është e vetmja risi që ata po përgatisin për publikun. Albani ka treguar tutje se janë duke punuar edhe në dy projekte të reja të cilat do të publikohen gjatë sezonit verorë. ‘’Jemi gjithashtu duke punuar edhe në dy projekte tjera po ashtu në bashkëpunim. Njërin do ta bëjmë me Astrit Stafën, kurse të dytin me këngëtaren Mimoza Shkodra.

Orkestrimin e këngës me Mimozën do ta bëjë Florent Boshnjakun, kurse teksti do të jetë nga këngëtarja Rozana Radi’’, ka thënë Albani, duke theksuar se të dy këto projekte do të jenë të plotësuara edhe me videoklip.

E përveç se janë duke mbledhur forca që para sezonit të vijnë me risi, ‘Baboo Darabuka’ tashmë i ka të caktuara datat e mbrëmjeve muzikore, madje Sejdiu tregon që kanë ftesa të ndryshme edhe për ahengje familjare e kremtime mature. “Jemi të angazhuar nëpër mbrëmje të ndryshme, çdo natë gjatë verës kemi ndeja e mbrëmje muzikore. Përveç ndejave kemi shumë ftesa edhe për dasma e mbrëmje të maturës”, nënvizon ai, ndërsa shpalos që ata janë të hapur dhe shumë shpesh shkojnë edhe nëpër koncerte humanitare.

Ndërkaq ndonëse bëjnë me dije se janë të kërkuar nga masa edhe përfitimet janë pjesë e pashmangshme, në pyetjen se sa paguhen për një mbrëmje muzikore, Albani ka thënë “Nuk jemi as të shtrenjtë, por as të lirë. Kjo varet edhe nga sezonet. Nuk parapëlqej të flas për pagesë”.
Ndryshe përveç raportit të mirë me publikun, djemtë e grupit ‘Baboo Darabuka’ bëjnë me dije se janë në raporte shumë të mira edhe me kolegët e tyre, me të cilët shumë shpesh takohen nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore.

“Kemi marrëdhënie miqësore dhe të mira me shumicën prej estradës tonë. Ka ndonjë që nuk kemi muhabet të mirë, mirëpo nuk është pengesë për ne. E rëndësishme është që unë Mohamadi dhe Besniku (dj Benity) kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe punët i kemi të ndara mirë”, ka treguar Albani i cili për fund nuk ka harruar të falënderojë të gjithë publikun e tyre që i mbështesin në çdo projekt.
(Express)

Projekte Shumë Serioze Për Djemtë E “Baboo Darabuka”