>
LETERSISHQIP

Liria

Lirinë e kam paramenduar ndryshe
si lule shumëngjyrëshe
me erë të këndshme.
E kam paramenduar
Si vajzë të ndrojtur.
Lirinë e kam paramenduar,
si djersën e punëtorit në arë,
tek mbledh bereqetin.
E kam paramenduar
Si një fushë të madhe
që ka vend për të gjithë,
dhe tepron madje.
Gabim.
Paskam qenë gabim.
Kjo fushë paska mina, gropa e therra.
Është fushë e uzurpuar,
nga ata që u duartrokasim.
Prandaj, liria dhemb.
Dhemb si djersa e punëtorit
në arën e pabereqetshme.
Dhemb si misteret e vajzës së ndrojtur.
Dhe si lulja e mbirë në bagël.
E ti se di se kujt po i merr erë.