>
LETERSISHQIP

Burrat E Historisë

Historia është shumë e vogël,
Për të hyrë në të duhet sakrificë dhe jokonformizëm.
Konformistët dhe ata që nuk sakrifikojnë, nuk kanë vend në histori.
Në histori nuk hyjnë as meshkujt e as djemtë. Në histori hyjnë vetëm burrat.
Të gjithë burrat lindin meshkuj, por burra bëhen pak.
Mashkull nuk të bën vetëm emri mashkull.
Mashkull, djalë dhe burrë, janë tri nocione të ndryshme.
Secili në vetëvete është një kategori e gjinisë së fortë.
E kundërta e femrës është mashkulli, por jo secili mashkull bëhet burrë.
Burrat e mëdhenjë janë ata që kanë qëllim dhe vizion të qartë se çka dëshirojnë të arrijnë.
Burra janë ata që kanë triumfuar përballë dhembjes dhe vdekjes,
Kush nuk ka frikë nga dhembja dhe është i gatshëm të vdes për qëllimet e tij,
Ai është burrë dhe trim.
Në histori nuk mund të hysh vetëm me emër, por me vepra.
Idealet, qëllimet dhe bindjet të bëjnë trim.
Kurora e të gjithave këtyre virtyteve është devotshmëria ndaj Zotit.
Nëse ke frikë Zotin dhe lufton për hir të Tij,
Nuk do të ndiesh as dhembje as nuk do të kesh frikë nga vdekja.
Kush ka frikë vetëm Zotin, nuk frikësohet prej krijesave të Tij.
Frika ndaj Zotit, të bën trim dhe sypatrembur përballë të tjerëve.
Lavdinë dhe respektin nuk e fitojnë të gjithë.
Lavdia dhe respekti janë të shtrenjta, ato nuk mund t’i ketë secili nga ne,
Gjërat e shtrenjta janë për njerëzit e veçantë.
Lavdia dhe respekti janë të rezervuara për burrat e mëdhenjë, prandaj
Jo çdonjëri nga ne mund të ketë lavdi dhe respekt.
Lavdia dhe respekti janë të rënda, ato peshojnë aq rëndë saqë nuk kemi fuqi për t’i bartur,
vetëm burrat e mëdhenjë e kanë atë fuqi.
Historia është e vogël, por bota është e madhe, sikurse jeta që është e gjatë,
Me ngjarje dhe sfida të pafundme.
Historia nuk i zë të gjithë brenda. Në të kanë hyrë dhe do të hyjnë,
Vetëm ata të cilët kanë bërë sakrifica sublime dhe kanë krijuar ngjarje të rralla.
Historia i pranon brenda vetës vetëm ata burra,
Që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre, për të mirën e popullit të tyre.
Historia do t’i mallkon ata burreca dhe matrapazë,
Që marrin gjithçka nga populli për interesat e tyre.
Duajini dhe respektojini ata që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, për të mirën e vendit,
Dhe urrejini e mallkoni ata që nga vendi i tyre morrën gjithçka, për interesat e tyre.
Historinë e bëjnë burrat, e shkruajnë horrat, dhe heronjë shpallen idiotët.
Zoti u ndihmon dhe i nderon trimat e mëdhenj.
E lehtë është të lindësh djemë, por e vështirë është të edukosh burra.
Më e lehtë është ta ndërtosh një kala i vetëm, sesa ta edukosh një burrë historie.
2 VII 2014