>
LETERSISHQIP

Qyteti I Heshtur

Rrugët, rrugicat, sokaqet janë bosh
Dritat e qytetit ndriçojnë rrugët vetëm për vete
Hijet nuk i shkel askush
Era gjarpëron rrugica të errëta dhe takon ndonjë qen të vetmuar
Ndonjë mace të braktisur
E ndonjë të "çmendur" që kërkon dashurinë
Diku larg dëgjohen çizmet e ndonjë polici që nata e ka zënë rrugëve
Dhe ndonjë lehje qeni që humbet bashkë me erën
Shpirtrat e trazuar nuk kanë gjumë
Qyteti heshtë sikur ka frikë se dikush e ndjek
E vëzhgon dhe do ta prangosë
Sonte edhe vetmia ka nevojë ta shoqërojë dikush
Sonte të gjallë ua kanë lakmi të vdekurve
Marsi po mbaron me borë dhe ftohtë
Pranverë e vonuar e dimër i gjatë
Qyteti bie e zgjohet në agoni
Edhe hëna është fshehur
Në qytetin e heshtur, vetëm heshtja është me bollëk