>
BIOSHQIP

Besiana Mehmedi: “Dua Të Përfaqësoj Të Gjithë Shqiptarët”

26-12-2014
Sot çel siparin Festivali i Këngës në RTSH, e një nga pjesëmarrësit është edhe sopranoja shqiptare nga Maqedonia Besiana Mehmedi. Në një intervistë për BalkanWeb, Mehmedi tregon synimin e saj që është fitorja e Festivalit dhe përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovizion.



Besiana shprehet se është dëshirë e çdo profesionisti ta sprovojë veten nëpër festivale. “Unë jam rritur artistikisht në festivalin e fundvitit të RTSH-së. Është nostalgji për mua, aq më tepër që festivali është live. Kjo shton përgjegjësinë dhe kënaqësinë”, shprehet sopranoja shqiptare nga Maqedonia.



Ajo zbulon edhe titullin e këngës, me të cilën do të paraqitet në natën e parë të festivalit, e cila quhet “Kështjella” ndërsa autorë të saj janë Pandi Laço dhe Adrian Hila.

“Kënga “Kështjella” ka shumë dashuri brenda”, thotë Besiana, duke nënvizuar se dikush mund ta kuptojë edhe si dëshirë për një kështjellë të pamposhtur.



E pyetur nëse ajo do t’i përfaqësojë denjësisht shqiptarët e Maqedonisë, këngëtarja e mirënjohur shprehet se synimi i saj është që të përfaqësojë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Diasporës.
(BalkanWeb)

Besiana Mehmedi: “Dua Të Përfaqësoj Të Gjithë Shqiptarët”