>
BIOSHQIP
Biografia
AUTOBIOGRAFI:
Rrjedhi nga një familje e njohur ku jam kulturuar dhe na janë ushqyer ambiciet e shëndosha për jetë. Unë jam rritur me “model” babain tim Qani Mehmedin-gazetar i njohur i cili ka shumë ndikim në ngritjen time si personalitet. Ai më ka mësuar herët që këngëtare e mirë është lehtë të jesh, por intelektuale vështirë. Fal tij unë sot jam profesoreshë dhe gazetare në radion shtetërore Australiane. Kam lind në Prishtinë, jam shkolluar në Prishtinë e Tiranë dhe sot jetoj në Tetovë. Kjo më ka ndihmuar që të njoh mirë mentalitetin dhe rrethet artistike shqiptare. Kam kryer shkollim fillor, të mesëm, fakultet dhe magjistraturë për solo këndim e muzikologji me sukses maksimal. Kjo më bën të ndjehem e sigurt në profesionin që ushtroj. Nëse të tjerëve që në rrugën artistike kanë hyrë rastësisht u lejohet eksperimentimi apo dhe prodhimet fitimprurëse dhe jetë shkurtra, një këngëtar që gjatë gjithë jetës është ushqyer me vlera të vërteta artistike për të ngritur nesër një brez të ardhshëm artistik këtë luks dhe kompromis me profesionin nuk ia la lejon vetes. Fat për mua është që kam në krah Shkodranin, djalë dhe artist i mrekullueshëm me të cilin ne kemi krijuar dyshen artistike. Sigurisht që në profesionin tonë i rëndësishëm është vokali, por mbi të gjitha puna. Unë rrugëtimin tim e kam nisur në festival pikërisht në Vitin 1999. Kam marrë shumë çmime të para dhe të dyta. Mua festivali më ka bërë të njohur andaj kam nostalgji të madhe për festivalet. Jam e lumtur tani që së bashku me Shkodranin ne kemi marrë çmim të dytë në festivalin e këngës për flamur për 100 vjetorin e Pavarësisë. Çmim të parë në festivalin "Flaka e Janarit", çmimin "Nexhmije Pagarusha" në festivalin "Kënga ime" në Tiranë.

BIOGRAFI nga Vahit Nasufi:
Kërçova është një qytet i bukur, i stolisur nga vetë natyra. Po të ngjjitesh shkallëve që të çojnë te Kalaja e saj, një shetitore shumë e bukur, do të shohish një pejsazh të gjallë, apo një panoramë, që në shikim të parë të le përshtypjen e një qyteti modern.

Kërçova përveç shumë epiteteve, njihet edhe si djep i arsimit, artit dhe kulturës. Kur jemi te arsimi dhe kultura, në këtë ese do t`ua sjellim pak më afër, në cilësinë e pedagoges dhe artistes, edhe pse ajo është shumë e njohur, e cila nuk ka lind në Kërçovë, por, origjinën apo rrënjët i ka në Kërçovë. Ajo është vajza e ikonës së gazetarisë, z. Qani Mehmedit, nga fshati Drogomisht i Vogël, (që sot, fizikisht nuk është në mesin tonë), i cili me familjen e tij, punonte dhe jetonte në Prishtinë, Tani më e keni të qartë se bëhet fjalë për artisten e mirënjohur - Besiana Mehmedin.

Besiana Mehmedi, lindi më 19 gusht 1982 në Prishtinë. Rrjedh nga një familje shumë bujare, artdashëse dhe e arsimuar. Shkollën fillore dhe të mesmen, ate të muzikës, i kreu në shkollën, “Prenk Jakova’’ në Prishtinë, drejtimi piano dhe solokëndim, ku u shqua si një nga nxënëset më të talentuara. Besiana që kur ishte nxënse, mori pjesë në shumë koncerte si në Prishtinë, Pejë, Gjakovë e gjetiu. Njëkohësisht erdhën në shprehje dhe afinitete shkencore, pjesëmarrje dhe çmime në gara komunale dhe aktivitete të ndryshme në shkollën fillore “DARDANIA’’, duke u shpallur nxënësja më e mirë e gjeneratave në shkollat e Prishtinës. Shkollën e mesme e mbaroi për tri vjet, (vitin e tretë dhe të katërt i kreu brënda një viti shkollor) dhe gjatë kësaj kohe mbajti koncerte solistik në solidarizim me brengën e të gjithë të rinjëve në Kosovën e paraluftes të vitit 1999.

Pasi e kreu shkollën e mesme, Besiana regjistrohet në fakultetin e Akademisë së Arteve në Tiranë, drejtimin e solokëndimit. Nën drejtimin e Prof. Suzana Frashërit, studimet i mbaroni me notën 9.9. Gjatë kohës së studimeve dhe pas tyre, u angjazhua si soliste në shfaqje të ndryshme të realizuara në Teatrin e Operës dhe Baletit. Nga viti 2006 është e punësuar me vendim në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës si asistente në lëndët Solokëndim dhe Histori muzike. Në vitin 2010 u rizgjodh asistente në lëndët, histori muzike dhe teknikë vokale. Në nëntor të vitit 2012 Besiana Mehmedi ka magjistruar me notë 10.0 në drejtimin Muzikologji, nën udhëheqjen e mentores Zana Shuteriq ‐ Prela. Tema “Roli i TVM2 në zhvillimin e muzikës shqiptare (1967‐2012), paraqet një punë serioze dhe një kërkim shkencor të rëndësishëm, të parin mbi këtë temë (me 136 faqe). Kontributi dhe karriera e Besiana Mehmedit shtrihet në disa rrafshe dhe drejtime, andaj mund dhe të quhet shumëdimensional.

Besiana Mehmedi dallohet dhe ka bërë emër si soliste e muzikës klasike, si interprete dhe fituese e shumë çmimeve në festivale të muzikës zbavitëse dhe popullore shqiptare, si lëvruese e mirë e folklorit shqiptar që me kujdes të veçantë e përpunon dhe interpreton në një shkallë të lartë profesionale, si pedagoge e muzikës dhe si publiciste, redaktore në revista, reportere në radio, udhëheqëse e emisioneve televizive dhe organizatore e suksesshme e shumë evenimenteve kulturore. Ndryshe Besiana Mehmedi, gjatë periudhës së punës në Universitet, ka qenë vazhdimisht e pranishme në emisione të ndryshme, solsite në shumë koncerte, pjesëtare e komisioneve të ndryshme, festivaleve ku mori dhe çmime të para dhe autore e shumë shkrimeve për muzikën. Nga viti 2013 Besiana Mehmedi është ligjëruese për lëndët Histori muzike dhe solokëndim.

Besiana ka bashkëpunuar me shumë gazeta, ku janë botuar shkrimet e saj në periudhën 1999 ‐2001 dhe 2006 ‐ 2007, duke u dalluar për qasje krejtësisht tjetër nga ato të gazetarëve të rëndomtë që përcillnin muzikën. Kritikat muzikore mbi muzikën “TALLAVA”, viruset aktuale, paradokset e festivaleve, por dhe mendime mbi evenimente dhe koncerte të mbajtura, janë botuar në gazetat “RILINDJA”, “ZËRI I RINISË”, “LAJM”, revistat “JETA”, “AVANGARD”. Paradokset e një festivali, botuar në vitin 2001 në gazetën “ZËRI”, Në pritje të një festivali të ri, botuar në revistën “RITMI” 2000, Tendencat dhe depërtimi i elementeve të huaja në muzikën tonë, botuar në gazetën “LAJM” Maqedoni 2006, Talentët e rinjë dhe sfidat e tyre për ndërtimin e karrierës, botuar në gazetën “INFO PRES” 2008, janë disa nga shkrimet më të spikatura me autore Besiana Mehmedin. Ka punuar si redaktore e kulturës në revistën “RITMI” 1999 ‐2001 në Prishtinë.

Ka qënë prezantuese e suksesshme dhe autore e emisionit “GJURMË NË PENTAGRAM” në Televizionin Shtetëror të Maqedonisë, 2010 ‐2011, ku merrej ekskluzivisht me vlerat e muzikës të shqiptarëve të Maqedonisë ndër vite. Aktualisht është reportere e Maqedonisë për Radion Shtetërorë Australian “SBS RADIO”. Besiana Mehmedi ka vite që jep kontribut me punën e saj me fëmijët në qytetin e origjinës së saj në Kërçovë, ku tashmë zhvillojnë afinitetin e tyre në piano, solfezh e teori muzike madje dhe në interpretim, të cilët kanë korrur mjaft suksese në festivalet për fëmijë. Pra, Besiana Mehmedi në raste të caktuara na paraqitet dhe si kompozitore dhe tekstshkruese e këngëve për fëmijë. Eshte realizuese e dy aktiviteteve shumë të rëndësishëm në qytetin e saj, festivalin për fëmijë, “DITA JONË” dhe “VLERA KULTURORE KËRçOVARE” në Kërçovë.

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, respektivisht në katedrën e muzikës, është dalluar për qasje tejet serioze në punë dhe një përgatitje shumë të mirë në disiplinën e historisë së muzikës. Suksesi i fundit i punës së përbashkët me studentë ishte çmimi i parë në festivalin “FLAKA E JANARIT”, në Gjilan. Pas marrjes së titullit docent, disa studentë janë udhëhequr me sukses nga mentorja Besiana Mehmedi. Në rrafshin solistik klasik, Besiana paraqitet me një aktivitet koncertal të pasur, me renditje kronologjike si vijon: Koncert solistik, “Paqe e lumturi në pranverën e shekullit të ri”, 1999. Koncert ne Hollin e Teatrit te Operes -Tirane, qershor 2004. Soliste në koncertin për Shenjtërimin e Nënë Terezës, mbajtur në Teatrin e Prishtinës me orkestrën “Jan Kukuzeli”, në “Stabat matter”‐ Pergolesi, dirigjent Zhani Ciko 2004. Koncert solistik me Latino Bend “Muzikë e popullarizuar botërore e shqipe” - Strugë 2007. Pjesëmarrëse në turne koncertesh në Maqedoni dhe Kosovë me Mirush Kabashin, Suzana Frashërin, Edith Mihalin, Kastriot Tushën, 2004 ‐ 2005. Koncert solistik, ‘‘Një gjuhë për të gjithë” 2010, me mysafirë Suzana Frasheri, Edit Mihali, Redon Makashi, përcjellur nga orkestra e Teatrit të Operës Shkup 2009, dirigjent Sasho Tatarçevski. Koncert solistik, në Pejë me po të njejtin formacion dhe mysafirë Shkodran Tolaj (sot bashkëshorti i saj), dhe Suzana Frasheri, 2010. Pjesëmarrëse në aktivitetet e mbajtura në kuadër të Universitetit të Tetovës si soliste në veprën “KANTATA E ALFABETIT”, me dirigjent prof. Arifikmet Xhemaili, 2008 Tetovë, Strugë, Gostivar. Pjesëmarrëse në koncertin e organizuar nga USHT në Ohër, “ARIA E LOKES” ‐ Pjetër Gaci dhe “HABANERA”,‐ Carmen, nën përcjelljen e orkestrës të RTSH -së, 2008. Pjesëmarrëse në “DITËT E MOISIUT” në Lugano të Zvicrës, 2005. Pjesëmarrëse në koncertin e 100 vjetorit te Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, me Filharmoninë e Kosovës nën dirigjimin e Baki Jasharit. Koncert në Hilton Palace, Ankara ‐ Turqi, e ftuar nga Ambasada e Kosovës në Turqi, 16 shkurt 2013, e ftuar nga Festival i filmit Ballaknik, Paris 2014. Ka bashkëpunuar me dirigjentë të tjerë si Milto Vako, Suzana Turku, Eno Koço e Jetmir Barbullushi.

Në fushën e operistikës, Besiana Mehmedi ka realizuar disa role të rëndësishëm, Cherubino, opera “DASMA E FIGAROS”, ‐ Moxart, dirigjent Altin Shehu, regjisor Nikolin Gurakuqi, Akademia e Arteve, Tiranë, 2004, “KLARINA“. Il cambiale del matrimonio ‐ Rossini, dirigjent Leonardo Quadrino, regjisor Nikolin Gurakuqi, Akademia e Arteve, Tiranë, 2004. Inesi, opera “DHOMA”‐ Ermir Dergjini, dirigjent, Zhani Ciko, regjisor Nikolin Gurakuqi, Teatri i Operës dhe Baletit, Tiranë, 2004. Xheni, musical “PËR TRE GROSH”, Kurt Ëeil, dirigjent Artan Lumshi, regjisor Armando Bora, Teatri i Operës dhe Baletit, Tiranë, 2005. Ganenstehav, musical “RRËMBIMI I JUNISË ËILLIANS”, Paula Kimber, festivali “VERA E OHRIT”, 2007, regjisor Natasha Popllavska, dirigjent Sasho Tatarqevski.

Për aktivitetin e saj artistik Besiana është vlerësuar me disa shpërblime dhe mirënjohje, si: “NOTA FEST 99” çmimi i tretë, Shkup. “NOTA FEST 2001” çmimi i parë dhe i interpretimit, Shkup. “ZAMBAKU I PRIRZRENIT 2001” çmimi i parë, Prizren. “ZAMBAKU I PRIZRENIT 2006” çmimi i dytë, Prizren. “ZAMBAKU I PRIZRENIT 2008” çmimi i tretë, Prizren. “POLIFEST 2001” çmimi për origjinalitet interpretativ dhe skenik, Prishtinë. “12 ËNDRRA TË NJË NATE VERE”, prezantim skenik, Durrës 2001. “KOSOVARJA KËNDON 2000” çmimi i parë, Ferizaj. “FESTIVALI I 100 VJETORIT TË SHTETIT SHQIPTAR” në Prishtinë, çmimi i dytë. Eshtë gjithashtu pjesëmarrëse në aktivitete jashtë vendit, në Zvicër, Gjermani, Itali dhe SHBA. Merr çmimin e parë në festivalin “FLAKA E JANARIT“ 2013. Mirënjohje nga shoqata e arsimtarëve shqiptar Naim Frashëri në Gjermani, 2010. Mirënjohje nga Aulona Internacional Folk Festival, Vlorë 2010, 2011, 2012. “AMBASADOR FOR PEACE”, çmim i dhënë nga Federata për paqe universale në botë, Prishtinë 2008. Pjesemarrese ne Festivalin e 52 ne RTSH, konkurimi per “ EUROSONG”.

çmimi i fundit i rëndësishëm ishte ai në festivalin “KËNGA IME”, ku mori çmimin “NEXHMIE PAGARUSHA”, qershor 2014. Anëtare e shoqatës për art dhe kulturë “KULT”, anëtare e komisionit të jashtëm për sferën muzikore në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë. Organizatore e festivalit garues për pianistët e rinj, “ARTISTI I RI”, festivalit “DITA JONË”, anëtare jurie në shumë festivale. Organizatore e manifestimit tradicional “NJË DITË DHE NJË NATË FESTIVE” në Kërçovë. Ideatore, prezantuese e soliste në tryezën muzikologjike dhe koncertet “GRATË NË KULTURË”, realizuar në Universitetin e Tetovës, Kërçovë dhe Shkup, Filharmonia e Maqedonisë Veriore 2022. Pjesëmarrëse në koncertin Nënë Tereza ‐ shqiptarja e gjithë botës, Teatri i Operës dhe Baletit Shkup 2022. Viti 2019, Rikthim ne skene e operes pas 10 vitesh Shfaqja “ORFEO DHE EURIDIKA”, roli i Orfeut, regjisor Trajko Jordanovski, kompozitor Gluk, çmimi i parë. “ZAMBAKU I PRIRZRENIT”, jubileu i 30. Koncerte solistike “FRYMË VJESHTE”, me orkestrën Grifon 2022, Tetovë dhe Kërçovë Pjesëmarrëse në Qendrat informative Kulturore në New York 2016, 2018, 2019, Stamboll 2021, Sofje 2019, 2021, bashkë me artstët Shkelzen Baftiari, Alba Muçolli, Pranvera Hoxha. Pjesëmarrëse me punime shkencore në konferencat e mbajtura në Institutin për Trashëgimi Kulturore e Shpirtërore në Shkup Roli I muzikës në ruajtjen e gjuhës dhe traditave tek arbëreshët. Folklori në veprat pianistike të kompozitorëve shqiptarë, Tipologjia e këngëve autoktone shqiptare dhe roli i tyre në arkivimin e ngjarjeve historike.

Në Nëntor 2001, Besiana Mehmedi merr pjesë në Nota Fest 2001 me këngën "Zgjohu".

Në Qershor 2002, Besiana Mehmedi merr pjesë në PoliFest 2002 me këngën "Ti Je Jeta Ime".

Në Dhjetor 2005, Besiana Mehmeti merr pjesë në Zhurma Show 2005 me këngën "Grafite Dashurie".

Në Dhjetor 2004, Besiana Mehmeti merr pjesë në Festivali i 43-të në RTSH me këngën "Grafite Dashurie".

Në Dhjetor 2006, Besiana Mehmedi & Mustafa Ymeri marrin pjesë në Festivali i 45-të në RTSH me këngën "Kepi I Shpresës Së Mirë".

Në Dhjetor 2007, Besiana Mehmedi merr pjesë në Festivali i 46-të në RTSH me këngën "Di Te Jetoj".

Më datë 26 Gusht 2010, Kengetare Te Ndryshem publikon videoklipin "Nje Shekull Dashuri". Muzika e këngës u punua nga Selami Kolonja, teksti u shkrua nga Selami Kolonja, ndërsa për orkestrimin u kujdes Robert Bilbilov. Videoklipi u prodhua nga Alexander Video.

Më datë 30 Shtator 2010, Besiana Mehmedi publikon videoklipin "Klithje Jete". Videoklipi u prodhua nga Asha. Me këtë këngë, Besiana Mehmedi merr pjesë në Netët e Klipit Shqiptar 10 në vitin 2011.

Më datë 19 Mars 2013, Shkodran Tolaj, Besiana Mehmedi & Aziz Dervishi publikojnë videoklipin "Shqipet E Uskanes". Muzika e këngës u punua nga Shkodran Tolaj, ndërsa për orkestrimin u kujdes Burim Krasniqi.

Në Nëntor 2013, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Kënga Magjike 2013 me këngën "Imagjino".

Në Nëntor 2013, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Musical-Fest 2013 me këngën "Drini Bardhe E Zi".

Në Dhjetor 2013, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Festivali i 52-të në RTSH me këngën "Jam Larg".

Në Mars 2014, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Kenga Ime 2014 me këngën "Kur Perëndon Dielli".

Në Mars 2014, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Kenga Ime 2014 me këngën "Të Kam Pritur".

Në Dhjetor 2014, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Festivali i 53-të Në RTSH me këngën "Kështjella" një këngë e dy autorëve më të njohur shqiptarë Pandi Laco e Adrian Hila.

Në vitin 2014, Besiana Mehmedi publikon albumin "Opera Shqip".

Më datë 7 Dhjetor 2018, Besiana & Shkodran publikojnë videoklipin "Apollon", në bashkëpunim me Stacey King.

Në Qershor 2019, Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj marrin pjesë në Zambaku I Prizrenit 2019 me këngën "Lule Lule"”, autor – Nexhat Macula, vargjet – Shkodran Tolaj, orkestrimi – Riza Dolaku.

Më datë 31 Korrik 2021, Shkodran Tolaj publikon videoklipin "Shkupi Dardan", në bashkëpunim me Besiana Mehmedi, Visar Rexhepi & Miranda Hashanin.

Në Dhjetor 2021, Besiana Mehmedi merr pjesë në Nota Fest 2021 me këngën "Shko".