>
BIOSHQIP

Big Basta: “Projekti Im I Rradhës Është Rikthimi I Madh”

13-02-2016
Big Basta është një artist I kompletuar I skenës sonë, I cili me veprimtarinë e tij të përpiktë arriti të vendoset në rangun më të ngritur artistik shqiptar. Këtë që e themi na e vërteton qëndresa e tij karshi furtunave të kohës, ku të gjithë jemi dëshmitarë se muzika jonë ç’tronditje përjeton nga dita në ditë. Big Basta, si I tillë që është, punëtor, I dashur e I respektuar me të gjithë, iu përgjigj ftesës sonë për intervistë, e cila rezultoi nga më të suksesshmet deri tani. Me dashuri ju ftojmë ta shijoni…

Teksteshqip: Në pika të shkurtëra, na thoni si nisët karrierën tuaj muzikore?

Big Basta: Karriera ime muzikore ka nisur në vitin 2002 afërsisht. Ishte një koinçidencë e paparë, sepse kurrë s’do ma merrte mendja të bëja pjesë në një grup muzikor apo të bëhesha këngëtar ose raper. Marrëdhenia ime me këngën, në fakt kishte shumë vite që ishte zhvilluar, sidomos me hip-hop-in. Njihesha në rrethin tim shoqëror si Geri i teksteve apo Geri Tupaku haha (qesh), dhe kjo ishte ajo që shtyu miqtë e mi: Shpat Kadiun dhe Moris Ramën të më bënin pjesë e grupit “Sweed Company” nga ku nisi gjithçka.



Teksteshqip: Kur është botuar për herë të parë një gjë e shkruar për ju?

Big Basta: Një gjë e shkruar për mua, ose për grupin ku bëja pjesë, erdhi vetëm 1 vit më vonë nga fillimi i karrierës. “Top Fest 1” ishte çelësi i suksesit. Morëm pjesë me këngën "Spot emocional" e cila u pëlqye menjëherë dhe solli vëmendjen e atyre pak mediave që i dedikoheshin showbizit.

Teksteshqip: Hip-hop-i është rryma të cilën ju e kultivoni. U përcaktoi kush, apo zgjodhët vetë këtë rrymë?

Big Basta: Hip-hop-i më ka shoqëruar që në vitin 96' me albumin "All Eyez On Me" të Tupac-it. Një shok i imi ma dhuroi nga Amerika të gjithë këtë album në formatin e kasetës. Dhe aty pata dashurinë e parë me këtë kulturë. Veshjet, dhe sidomos kënga "Shorty Wanna B A Thug" ishin zanafilla e dashurisë time.



Teksteshqip: Diçka për vitet e universitetit... Keni mall për atë kohë?

Big Basta: Gjithmonë ua them të rinjve, që e vetmja gjë për të cilën kurrë nuk do pendoheni, janë vitet e universitetit. Jo se do mësoni apo lexoni shumë libra, por është një investim i madh për shoqërinë e re dhe të sinqertë që do krijohet, sepse ajo është shoqëria që do mbetet gjithë jetën dhe që do ju hapë dyert kudo, në çdo fushë. Më merr malli shpesh për ato vite, dhe ndonjëherë mendoj të bëj edhe një fakultet të dytë…

Teksteshqip: Shumica e artistëve përmbledhjen e një albumi nuk e shohin të arsyeshëm si dikur. Jeni dhe ju të këtij mendimi?

Big Basta: Për mua, albumi është pasaporta e artistit. Këtu, në vendin tonë, shikoj fenomene 2 vjeçare, që do të thotë se bëjnë bujë vetëm 2 vite dhe më pas zhduken. Çdo gjë që fitojnë e shpenzojnë për një jetë luksi dhe për rrjetet sociale, dhe harrojnë çfarë bën artisti në të vërtetë dhe çfarë duhet të promovojë, sidomos tek brezi i ri. Shikoj që operacionet plastike po bëjnë çdo artist të ngjajshëm me njëri-tjetrin duke i dhënë "imazhin perfekt", por nuk është ashtu. Shpenzime të shumta, shumë pak talent dhe asnjë album. Faji është i gazetarëve të cilët pranojnë të paguhen në shuma të vogla për të ushqyer popullin me antivlera. Nuk ka kritikë muzike, nuk ka klasifikime reale dhe ka shumë shikime në YouTube i cili lehtësisht është i manipulueshëm dhe sjell ndjenjën e vetëkënaqësisë, duke harruar kështu profesion e vërtetë dhe shpirtëror dhe arsyen përse e kanë atë fuqi të madhe në dorë dhe quhet “art”.



Teksteshqip: Zakunisht, me kë bashkëpunoni rreth projekteve bombastike që sillni?

Big Basta: Unë kam një grup njerëzish të talentuar dhe mjaft të dhënë pas muzikës, që gjithmonë bashkëpunoj. Kam Trinium Beatz, Ludwig Maier, Mr Rez dhe Natty Lens, si edhe mjaft profesionistë që merren me orkestrimin dhe miksimin e këngëve. Puna në ekip është gjithmonë ajo që duhet.

Teksteshqip: Big, keni mjaft bashkëpunime me artistë të ndryshëm. Jeni ndarë të kënaqur me të gjithë?

Big Basta: Me të gjithë jam ndarë i kënaqur, sepse gjithmonë kam ditur të marr atë që dua. Personaliteti im artistik kurrë nuk është cënuar, dhe përfitimet kanë qenë gjithmonë të barabarta. Respekte të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, të cilët kanë vlerësuar dhe vlerësojnë të mirën.

Teksteshqip: Po radion që drejtoni, për çfarë konkretisht e keni krijuar?

Big Basta: Për të sjellë një frymë të re dhe për të krijuar infrastrukturën e duhur që muzika rap dhe rnb të ecin siç duhet në treg. Nuk është thjesht vetëm për të promovuar këngë apo për të folur mirë për këngëtarët e ndryshëm, por për të rritur një brez të ri, të dhënë 100% pas hip-hop kulturës. Në botë nuk mjafton të bësh një këngë dhe të blesh klikime (e cila dënohet në rrethin artistik), e të thuash jam raper, aspak. Duhet të dish të bësh freestyle dhe të krijosh audiencën me forcat e tua dhe me shpirt. Gjenerata e re do jetë e duhura dhe do nxjerrë një fshesë ndaj të paaftit, fshesë të cilën do ta suportojë edhe publiku i gjerë.



Teksteshqip: Jeni edhe tekstshkrues i shkëlqyer. Nga e merrni frymëzimin?

Big Basta: Tekstet janë specialiteti im. Frymëzimin e gjej kudo. Më pëlqen të shëtis nëpër vende të ndryshme dhe të mbush veten me pozitivitet. Kam një familje të mrekullueshme dhe po krijoj pasardhës. Ku ka frymëzim më të mirë se kjo, të cilën e pasqyroj gjithmonë nëpër tekste, si për veten time, ashtu edhe për këngëtarët e tjerë.

Teksteshqip: Cila është cilësia që ju pëlqen më shumë tek njerëzit?

Big Basta: Ambicja. Ajo është cilësia e parë që më pëlqen dhe e vlerësoj. Pastaj, njerëzit kategorizohen në dy tipe: të mirët dhe të këqinjtë. Dhe pas këtij kategorizimi fillon shprehja "qëllimi justifikon mjetin". Por, ambicja është vlerë e rrallë që na diferencon nga gjallesat e tjera.

Teksteshqip: Atë që ndjeni për Vesën e kishit krahasuar me gjë?

Big Basta: Atë që ndjej për Vesën është si një miksim i dashurisë së sinqertë dhe dëshirës për të pasur një njeri të mirë pranë vetes. Vesa ka cilësi të jashtëzakonshme, çka më bëri të dashurohem dhe të jem i lumtur. Shumë suksese të mija ia dedikoj frymëzimit që rrjedh nga dashuria për të.



Teksteshqip: Kishit ndyshuar diçka nga ajo që keni kapërcyer ndër vite?

Big Basta: Unë besoj se nëse ndryshon edhe 1 të 1 milion-tën e të shkuarës, rrjedha e së ardhmes ndryshon përjetësisht, prandaj jam i lumtur që çdo gjë që kam bërë apo isha në të shkuarën, më solli deri këtu.

Teksteshqip: Jeni duke u marrë me ndonjë projekt të ri së fundmi?

Big Basta: Albumi im i tretë që do titullohet "E 3ta E Vër8a" (E treta e vërteta). Të gjithë që besojnë tek unë, e kuptojnë çfarë do sjellë në të vërtetë ky album me plot 15 këngë të reja dhe me disa këngë që do shoqërohen edhe me video. Pra, projekti im i rradhës është rikthimi i madh.

Teksteshqip: Big, na nderuat me prezencën tuaj në portalin tonë. Për fund, çka do kishit shtuar?

Big Basta: Falenderoj portalin tuaj, sepse gjithmonë ka qenë afër çdo artisti për të percjellë më së miri vyrtytet e tij. Sidomos për sinqeritetin dhe vëmendjen konstante ndaj punëve të mia. Pra, ju them lexuesve të vazhdojnë ta lexojnë këtë portal që promovon atë që më së shumti vlen në një këngë, tekstet. Gjithashtu, i them brezit të ri të vazhdojë të ëndërrojë sepse, një ditë do jenë aty, duke realizuar më së miri këto ëndrra!
(Arsim Kolari - teksteshqip.com)

Big Basta: “Projekti Im I Rradhës Është Rikthimi I Madh”