>
BIOSHQIP

Big Basta: Hip Hop-I Të Trajtohet Si Kulturë

11-08-2012
BIG BASTA në një intervistë të gjatë për Hip Hop Magazinë ka folur për atë se shoqëria shqiptare tash e tutje duhet ta trajtoj hipin si kulturë. Ai po ashtu flet edhe për lidhjen e tij me këngëtaren Vesa Luma dhe shumë gjëra të tjera dhe mesazhi që ka është së "gjithmonë kam dashur që Hip Hopi të trajtohet si kulturë".

HH: Fama juaj tashmë përveç Shqipërisën ka depërtuar edhe në Kosovë. Si arritët deri këtu?

BB:

Së pari, ju falënderoj për intervistën dhe më vjen mjaft mirë që, më në fund, në një vend shqipfolës, i kushtohet vëmendja e krijimit të një magazine,ose suplementi për kulturën Hip Hop dhe me këtë jemi në të njëjtën rrugë. Gjithmonë kam dashur që Hip Hopi të trajtohet si kulturë, mjaft pozitive që në të ardhmen e afërt, pritet të jetë dominante nëpër botë. Ka qenë dhe është padyshim ky, mesazhi qe kam dashur të përcjell gjithmonë tek publiku ynë dhe kam vite që përveç kultivimit të këtij parimi, kam gjetur dhe shoqërinë e përbashkët me reperat e Kosovës dhe të Shqipërisë. Kam vite që vij shpesh në Kosovë dhe "rritëm" me reperat që sot po pushtojnë tregun atje. Plus, një fakt tjetër i rëndësishëm është se, kam po ashtu, shumë vite që punoj si tekstshkrues për producentë të njohur dhe këngëtarë të njohur të tregut të Kosovës si Florent Boshnjaku, Enis Presheva, Don Arbas, Dj Blunt,Vesa Luma, Genta Ismajli, Nora Istrefi,etj

HH: Çka mendon për repin në Kosovë dhe në Shqipëri? Kanë shumë dallime mes vete?

BB:

Rap muzika në Kosovë ka shumë vite që është kultivuar dhe zhvilluar, pra në një fare mënyre, eksperienca më e madhe të jep edhe mundësinë më të madhe. Ndërkohë,në Shqipëri,nisi çdo gjë si pa planifikim në vitet '97 me këtë rrymë dhe për mendimin tim ka mbetur e tillë deri në fillim të viteve 2003-2004, ku mund ta quajmë si New Age Rap. Jemi shumë më pak si numër, në krahasim me reperat e Kosovës, por më pëlqen fakti që po mundohemi të krijojmë një karakter tjetër të Hip Hopit shqipfolës, duke vënë më në pah realizmin dhe konceptimin filozofik të teksteve, gjë që shumë rrallë po haset në tregun e Kosovës. Nuk dua të them se nuk është më ai Hip-Hopi i mëparshëm me ndjenjë, sepse akoma ekzistojnë repera në Kosovë që filozofojnë artistikisht me tekstet dhe rimat e tyre, si Lyrical Son dhe Mc Kresha, që i respektoj për mënyrën se si e kanë servirur në treg artin e tyre. Pra përveç slang-ut dhe stilit letrar të tekstit, asgjë tjetër nuk merret për dallim.

HH: Aq sa dimë ne, bashkëpunimi juaj i fundit ishte me grupin kosovar ETNON me këngën "She is hot". Si arritët deri te ky bashkëpunim,a mendoni ndonjëherë ta realizoni në videoklip?

BB:

ETNON janë një grup që kanë bërë epokë në rrymën Hip Hop dhe ftesa për bashkëpunim ishte një surprizë e madhe për mua. Është një bashkëpunim i menduar mjaft mirë dhe analizuar me shumë përpikëri nga producenti Genc Prelvukaj. Jam munduar të jap maksimumin për këtë këngë dhe shpresoj që shumë shpejt labeli Black Fish të realizojë dhe klipin e saj.

HH: Vesa Luma dhe Big Basta. E vërtetë ?

BB:

E vërtetë, por nuk është një çështje që i takon tregut muzikor. Jemi njohur si qenie njerëzore dhe do vazhdojmë ta konsiderojmë këtë lidhje si shpirtërore tonën dhe shumë normale për dy njerëz,që përveç artit dhe të qenit artist, kanë nevojë si gjithë njerëzit normal për ndjenjë dashurie, respekti dhe besimi.

HH: Keni edhe një bashkëpunim me labelin PINT. "Bright lights big city" këngë kjo shumë e dëgjuar nga publiku. Mendoni se nuk duhet bërë dallime mes Shqipërisë dhe Kosovës,pasi që,kjo është edhe tematika e këngës?

BB:

Me labelin P.I.N.T më vjen mirë qe kam qenë prezent që në krijimin e saj. Djemtë e këtij labeli janë më të vërtetë të talentuar dhe po i japin një ngjyrim natyral Hip Hopit të Kosovës dhe atij shqiptar. Kam miqësi të kultivuar prej vitesh me anëtarët e këtij labeli dhe me plot gojë e them, se , duhen respektuar nga publiku i gjerë për strategjinë pozitive të difuzionit të Hip-Hopit si kulturë. Ne kurrë nuk duhej të quheshim të ndarë territorialisht dhe kurrë nuk do të quhemi, ndaj dhe kënga "Bright Lights Big City" është një këngë e cila flet për Tiranën, si kryeqytetin më të madh shqiptar, por që në nënkuptim tregon shqiptarët e bashkuar dhe se kemi të drejtën të lindim, jetojmë dhe sundojmë kudo ku gjuha dhe kultura shqiptarë është gjuha nënë. Këtë mesazh ,në albumin e P.I.N.T,e kemi ndarë në dy pjesë,njëra është "Bright Lights Big City" dhe tjetra "Shqiphop".

HH: Promovimi i albumit tuaj të fundit ndodhi tash vonë. Si po shkojnë punët në atë drejtim ?

BB:

Përveç lodhjes së akumuluar që është e rregullueshme, nga çdo anë tjetër ndihem së kam përmbushur dëshirën time më të madhe dhe kam arritur të sjell një aromë Tirane në rrymën Hip Hop,duke e renditur dhe pozicionuar me dinjitet në komunitetin e kësaj kulture. Pra arrita të bëj publike faktin se,Tirana është prezente në këtë rryme dhe jam munduar ta prezantoj më së miri.

HH: Ndonjë gjë për fund ?

BB:

Do të doja të falënderoj të gjithë ata qe më kanë suportuar dhe që do vazhdojnë të më suportojnë. Falënderoj dhe popullin e Kosovës që gjithmonë ka besuar tek unë dhe që ma ka hapur dyert plot dashuri dhe respekt që unë të përcjell artin tim edhe atje. Çdo ditë e më shumë ndihem krenar që jam pjesë e një populli artdashës dhe që shpreson shumë. Të gjitha këto më kanë bërë ky që jam sot.
(HipHopMagazine)

Big Basta: Hip Hop-I Të Trajtohet Si Kulturë