>
BIOSHQIP

Big Basta: “Do Të Rikthehem Fuqishëm Me Këngë Dhe Klipe”

12-06-2014
Big Basta, rep artisti i njohur vjen në një intervistë ekskluzive për teksteshqip.com. Dy ditë nga lasnimi i videoklipit më të ri "Mbylle Gojën", i cli është mirëpritur mjaft mirë nga publiku dhe po klikohet shumë. Vetëm pak ditë më parë e pamë Big Bastën në Top Fest së bashku me Anxhelon ku rrëmbyen çmimin "Best Hip Hop" për këngë "Famë". Big Basta na ka rrëfyer se si ka qenë kjo eksperiencë dhe se çfarë është duke pregatitur ai për sezonin veror.

TeksteShqip: Big Basta, jeni mjaft i angazhuar së fundmi në muzikë. Sapo keni lansuar projektin tuaj të ri muzikor "Mbylle Gojën". Na flisni pak më shumë rreth këtij projekti?

Big Basta: "Mbylle Gojën" ka pak ditë që është publikuar dhe deri tani ka pasur pritshmëri tepër të mirë nga audienca. Në këngën dhe klipin trajtohet një tematikë sa e përditshme, po ashtu edhe e ruajtur pa u thënë nga këngëtarët. Flas për një realitet të përbashkët që kemi të gjithë shqiptarët dhe se vijmë nga e njëjta ADN, pra sa është e nevojshme që të bëjmë garë pasurie ose dijeje me njëri tjetrin, dhe sidomos kur jemi në fushën e këngës? Pra të gjithë jemi të barabartë, hajde të bëjmë diçka për të mirën e muzikës sepse me këtë qëllim jemi në këtë fushë. Asnjë nuk ka të drejtë të ofendojë, ose të bëjë konkurencë të zhdrejtë, sepse në fund të fundit jemi aq shumë pak banorë, sa të gjithë dalim të njohur me njëri tjetrin në fund dhe kuptojmë sa të kota janë ato momente emocionale që kemi patur, prandaj mbylle gojën, vazhdo punën. Në realizimin e kësaj videoje kanë punuar regjisori Emiljo Leka dhe arranzhuesi Dario Grori dhe i falenderoj jasht mase që kanë pasion për të punuar.



TeksteShqip: Ishit pjesë edhe e finales së Top Fest 11 me këngën "Famë" së bashku me Angelo Koçi. Si ishte finalja për ty dhe sa është i rëndësishëm për ty Çmimi "Best Hip Hop"?

Big Basta: Top Fest është festivali ku kam performuar për herë të parë me ish grupin Sweed Company, çdo sezon më duket tepër i arrirë dhe më vjen mirë që sa herë kam marrë pjesë, kam qenë në vitet kur Top Fest kishte organizimin nga më të ndjekurit dhe më të përfolurit. Kësaj rradhe zgjodha të punoj këngën "Famë" me Angelon, i cili jo vetëm për mendimin tim, është talenti më i padiskutueshëm i RnB shqip. Puna për albumin e tij, e ka sjellë në një nivel të lartë zërin dhe cilësinë si këngëtar, prandaj ishte shumë e lehtë të bashkëpunoje me të. E donim shumë çmimin "Best Hip Hop" dhe investuam shumë moralisht dhe psikologjikisht për ta marrë. Më duhet të theksoj se stilisti Ervis Agolli ka bërë mrekullinë me gjetjet e tij për veshjet tona të finales, çka na dha një tjetër imazh për tu rikthyer edhe më fuqishëm në skenë. Gjithashtu falenderoj "Mountain Bike Albania", të cilët edhe pse të ndodhur në mes vështirësive, arritën të bëjnë një performancë të shkëlqyer, pra pikërisht bënë atë çfarë kënga flet.

TeksteShqip: Pretendonit fitoren?

Big Basta: E si mundet një ekip futbolli të luajë në kampionat pa pretenduar fitoren. Megjithatë, ky çmim që u vlerësuam, tregoi qartë se ishte një fitore e madhe, në një moment kur muzika Shqip-hop ka një ngërç të madh në tekste.



TeksteShqip: Tani po fillon edhe sezoni i verës? I keni rezervuar datat për koncertet e verës?

Big Basta: Patjetër që po, ama këtë verë kam disa angazhime më të mëdha dhe jetësore, çka ma ngarkojnë akoma më tepër sezonin veror. Megjithatë jam i lumtur që do performoj përpara publikut shqiptar, që gjithmonë më ka dashur dhe mbështetur.

TeksteShqip: Ju njohim si tekstshkrues i shumë këngëve të njohura shqiptare. Po vazhdoni akoma këtë bashkpunim me artistët shqiptarë, nëse po na tregoni pak se cilët janë emrat me të cilët po punon?

Big Basta: Për momentin, po punoj me këngëtaren e mirënjohur Anjeza Shahini, si edhe me talentin e ri dalë nga X Factor, Festina Mejzini. Padyshim që po punoj edhe me projekte tipit albume me këngëtarë të tjerë të rinj, por më e rëndësishme është se po mendoj të rikthehem akoma më fortë me klipe për këngët e mija, sepse vetëm ashtu më rikthehet edhe frymëzimi më i fortë.

Teksteshqip: Dimë që këngët e Vesa Lumës punohen nga ti. Keni pergatitur ndonjë projekt për këtë sezon veror?

Big Basta: Vesa përveç koncerteve, po punon për një album ekskluziv me këngë të vjetra qytetare nga të gjitha trevat shqiptare, dhe derisa ta arrijë ka një punë tepër të madhe që ka marrë përsipër.

TeksteShqip: Flasim pak për jetën prviate... E dimë që keni kohë që bashkjetoni me dashurinë tuaj Vesa Luma. Na kanë rënë në vesh fjalë se këtë verë do martoheni? Sa është i vërtetë ky lajm?

Big Basta: Realisht, mamaja ime që më do jashtë mase, e ka urryer gjithmonë faktin se asnjëherë s'tregoja për jetën time private, gjithashtu edhe babai. Ndaj ju kërkoj ndjesë nëse rezervohem kësaj here, sepse jam edhe pak supersticioz. Gjithsesi, asnjëherë s'ka mbetur pa u marrë vesh as edhe lëvizja më e vogël e jona, ndaj rrini të qetë, do ju vijë ftesa të gjithëve.



TeksteShqip: Po album, do të ketë gjatë këtij viti?

Big Basta: Shpresoj që po, por më tepër besoj se do publikoj një mixtape album dhe pastaj një album të vërtetë.

TeksteShqip: Po duetet me këngëtarë të tjerë i keni në plan?

Big Basta: Për momentin nuk kam asnjë plan dueti ose bashkëpunimi. Do më shpërqëndronin nga gjithçka folëm më sipër.

TeksteShqip: Keni punuar për të sjellë radion e parë Hip Hop në Shqipër? Na trego diçka më shumë rreth Mcn Radio?

Big Basta: MCN Radio është një nismë e marrë në bashkëpunim me kompaninë MCN, një kompani prestigjoze e Shqipërisë. Qëllimi është difuzioni i kulturës së bukur Hip Hop, kryesisht duke lançuar dhe promovuar këngë të reja si edhe këngëtarë nga e gjithë bota. Kur them kulturën hip hop, përfshij këtu edhe RnB, Dubstep, Grime, Dancehall, Reggae, pra nuk e kufizojmë dot vetëm me muzikë anglisht dhe shqip, por nga i gjithë rruzulli tokësor. Do jetë një shtëpi e mirë dhe një mundësi e mirë për tu promovuar edhe për ata të rinj që mendojnë dhe besojnë se janë këngëtarë ose rappera shumë të mirë, duke i testuar live në freestyle sessions, gjë të cilën bota e ka që nga vitet 70', pra nuk e kemi të vështirë ta krijojmë sepse është e krijuar me kohë si koncept. Me kalimin e kohës dhe varur nga impakti, synojmë organizimin e festivaleve me këngëtarë të famshëm nga bota në bashkëpunim me prurjet e tregut vendas.

TeksteShqip: Big Basta, ne të falenderojmë që gjete kohë për intervistë. Për fund nëse dëshiron të shtosh diçka...

Big Basta: Dëshiroj të shtoj për të gjithë lexuesit... vetëm dy fjali:

Ëndërrat janë falas, vazhdoni të ëndërroni sepse një ditë ato do vijnë tek ju. Ky është çelësi i të ndjerit mirë çka pason sukses dhe vetëbesim.
(Teksteshqip.Com)

Big Basta: “Do Të Rikthehem Fuqishëm Me Këngë Dhe Klipe”