>
BIOSHQIP

Blerina Braka: Këngën Nuk E Lëvroj Për T'u Quajtur “Vip”

30-09-2012
Blerina Braka është një nga këngëtaret, e cila këngë, e ka jo vetëm profesion, por edhe pjesë të saj. Kështu atë e pamë këtë të diel me një perfomnacë shumë origjinale të këngës, me të cilën ajo do të konkurrojë në këtë edicion të festivalit "Kënga Magjike". Në një intervistë për gazetën "Koha jonë", Blerina rrëfen se për të kënga është jo vetëm profesion, por nuk do të ishte vetvetja nëse do të duhej që të bënte një profesion tjetër.

Para pak ditësh u prezantuat me këngën tuaj më të re në festivalin "Kënga Magjike", si po pritet nga publiku?

Kënga titullohet "Ole Ole". Është e vetmja këngë që nuk më ka lodhur, erdhi shumë shpejt dhe më e bukura për mua është se nga opinionet e marra deri tani është pëlqyer më shumë se herët e tjera. Nuk thonë kot që gjërat duhen marrë lehtë dhe thjesht.

Ju pamë me një performancë shumë trendy edhe mikrofoni juaj ishte i veshur me gurë, e kujt ishte ideja?

E gjithë ideja e kësaj performance ka qenë e imja, qe tek veshja e balerinave, stilimi i flokëve etj. Mikrofonin e kam punuar vetë me duart e mia dhe jam më e kënaqur se kurrë. E di çfarë mendova në fund të performancës sime, se kam gabuar më parë duke iu besuar të tjerëve. Kam boll ide të bukura vetë.

Ndërkohë, para jush edhe Jonida Maliqi ka bërë një performance me një mikrofon të tillë afërsisht, por me gurë Zwarovski, edhe ju i kishit të tillë?

U bëra kurioze dhe hyra tani në "Youtube", pashë mikrofonin e Jonidës dhe nuk kishte aspak lidhje me mikrofonin tim. Dhe performanca ime, mendoj se s'ka aspak ngjashmëri me atë të Jonidës.

U bë një kohë e gjatë që i keni munguar ekraneve muzikore me një videoklip tuajin, pse?

Po është e vërtetë që kam diçka më shumë se një vit që nuk kam nxjerr një klip. Tani së shpejti do të filloj xhirimet e klipit të ri, një bashkëpunim me "DeVox" dhe kënga është realizuar në gjuhën angleze. Është profesionale dhe goxha potente, besoj se do të pëlqehet shumë.

Stina e verës sapo ka përfunduar, çfarë kishte ky vit ndryshe nga vitet e tjera?

Mund të them se këtë vit pata më shumë kohë të merrem me veten dhe jam relaksuar në maksimum.

Me kë i kaluat pushimet, ndonjë person i veçantë?

E ku ka më bukur se t'i kalosh pushimet në shoqëri. Sigurisht pranë meje në të shumtën e kohës ka qenë dhe ai personi i veçantë. Vetëm një gjë më ngeli peng, nuk munda të pushoja dhe me prindërit e mi. Duke menduar se ëmbëlsira lihet për në fund, por akoma nuk po di kur të shkëputem nga Tirana me ta, pasi tani kam filluar punët dhe jam pak rrëmujë.

Keni menduar se ka ardhur koha që të krijoni familje tashmë?

Mirë që ma kujtoni ndonjëherë ju gazetarët se harroj unë (qesh). Nejse, nuk kam ndonjë plan të afërt, por nuk i dihet se ndonjëherë fëmija vjen surprizë.

Çfarë të rejash do të presin fansat nga ky sezon i ri?

E ndjej se ky sezon do të jetë më i bukuri i jetës sime, për sa i përket karrierës, sigurisht, edhe familjes. Plane nuk para me pëlqen të bëj, pasi më pëlqen kur gjërat vijnë spontane.

Ju kemi parë të performoni vetëm dhe në duet, kur e keni ndjerë veten më të sigurt?

Nuk mund të them se ka ndonjë ndryshim, sepse si në duet edhe vetëm njësoj është për mua. Të sigurt të bën eksperienca, kënga e bukur dhe mbështetja e publikut.

Nëse nuk do të ishit bërë këngëtare, çfarë profesioni mund të kishit zgjedhur?

Nuk e di. S'më shkon mendja për asnjë profesion tjetër. Që të kthej këtë përgjigje duhet të mos jem Blerina. Unë kam shumë dhunti për të bërë shumë gjëra, pasi çdo gjë më duket e mundshme, por që s'mund t'i shikoj dot si profesion. Ndoshta duket ekzagjerim, por kjo jam unë.

Shpesh këngëtaret e njohura bëhen pjesë e rubrikave roze, mendoni se është një forme reklame që i bëjnë vetes, duke qenë prezent gati përditë në faqet e gazetave dhe revistave edhe me vetëdashje?

Më duket si e dalë mode kjo lloj reklame. Jam e mendimit që nuk duhet parë guna por puna. Reklama ime flet vetë, pasi çdo fundjavë këndoj live në një nga pub-et e Tiranës, prej gati 5 vjetësh. Nuk kam nevojë për rubrikat rozë, apo të marrë pozicione Vip-i.

Çfarë nuk do të bënit kurrë për hir të suksesit, nëse do t'ju kërkohej?

Pfffff…. S'më është dashur të sakrifikoj ndonjëherë për suksesin, pasi këngën nuk e bëj për t'u dukur apo për t'u quajtur Vip. Nuk vuaj aspak për këto budallallëqe. Kënga është ajo që unë di të bëj më mirë, fundja këtë shkollë kam mbaruar dhe jam në profesionin tim.
(Ilda Lumani Koha Jone)

Blerina Braka: Këngën Nuk E Lëvroj Për T'u Quajtur “Vip”