>
LETERSISHQIP

Kur Zgjohet Dodona

I.

Fryu rrugëve të Dodonës
erë e marrë,
baltë e dhe hodhi mbi lulekuqe

Orës së qytetit
ia kurdisi kahun e vet
e qorrsokakët i zgjoi
si krahë të oktapodit
ta gllabëronin Dodonën e heshtur
një ditë
Njerëzit
ndërruan emra ndërruan kahet
ndërruan ëndërrat

Se ora
maste kohën gabimisht!

II.

Njerëzit
iknin nga qyteti
njerëzit vdisnin të vetmuar

Urat e gurit
përditë nga pak i shembeshin
në gji
nën karvanet e dhembjes

Atje tej
malet rrisnin thellësitë

e në magmat e palcës së globit
ushqenin damarët e Dodonës.

III.

Kur zgjohet Dodona
nga gjumi shekullor

shatërvanet shpërthejnë
në gejzerë të valë

Qytetit
ia lajnë fytyrën

e monumentet rriten
me shkëlqimin e bronztë!…