>
BIOSHQIP
Biografia
Peter Gene Hernandez, i njohur si Bruno Mars, ka lindur nga një familje muzikantësh. Ai është këngëtar, tekst-shkrues dhe producent. Bruno Mars filloi të bënte muzikë në moshë të re. Pas diplomimit të tij nga shkolla e mesme, ai u shpërngul në Los Angeles për të vazhduar karrierën në muzikë. Bruno Mars shkruante këngë për artistë si : Alexandra Burke, Travie McCoy, Adam Levine, Brandy, Sean Kingston dhe Flo Rida. Ai gjithashtu ka shkruar hitin “Get Sexy” të Sugababes, pjesë e albumit të saj “Sweet 7”. Për herë të parë Bruno Mars është shfaqur si këngëtar në një single të Far East Movement për albumin e tyre “Animal”. “Nothin’ on You” dhe “Billionaire” janë dy këngët e para në karrierën e Bruno Mars si artist solo, këngë që u klasifikuan në dhjetëshet më të mira të shumë vendeve. Në maj të 2010-ës, Bruno Mars publikoi “It’s Better If You Don’t Understand”, i cili u klasifikua në Billboard 200. Pak më vonë u hodh në treg bashkëpunimi me Cee Lo Green dhe B.o.B. në këngën “The Other Side”. Në gusht të vitit 2010, Bruno Mars bashkëpunoi sërish me Green në këngën “Fuck You”. Po në atë vit performoi në MTV Video Music Awards një miksim të këngës së tij, “Nothin’ on You”, me “Airplanes” të Hayley Williams dhe B.o.B. Albumi debutues për këngëtarin u publikua në tetor të 2010-ës me këngë lancuese atë me titull “Just the Way You Are”. Kënga u rendit e para në klasifikimin e Billboard Hot 100 si dhe në shumë klasifikime të tjera ndërkombëtare. Në shkurt të vitit 2011, Bruno Mars fitoi çmimin e parë Grammy si performanca më e mirë pop nga një mashkull, ndërkohë që ishte kandiduar në gjashtë të tilla. Këtë vit, ai u rendit nga revista “Time” tek lista e 100 njerëzve më me influencë të vitit. “It Will Rain” u publikua më 22 shtator 2011 dhe u bë kolonë zanore e filmit “The Twilight: Breaking Dawn”. Një muaj më vonë u publikua kënga “Locked Out of Heaven”, pjesë e albumit me titull “Unorthodox Jukebox” i cili u hodh në treg në fund të vitit 2012. Single i dytë i albumit, “When I Was Your Man”, u klasifikua në dhjetëshet e 15 vendeve, duke përfshirë këtu dhe vendin e parë në Billdoard Hot 100. Në shkurt të vitit 2013, Bruno Mars u kandidua për çmimin kënga më e mirë rap në ceremoninë e 55-të të çmimeve Grammy. Kënga e tretë, “Treasure”, u pozicionua në pesë këngët më të mira në SHBA, ndërkohë që shënoi sukses më të vogël se dy single-at e tjerë.
KATEGORI: