>
LETERSISHQIP

Llamba E Madhe A Do Të Ndrij Përsëri?

Në vijën kufitare era e fortë në vete u ndrye,
Çdo gjë e gjallë përreth si pa frymë pushoi,
Llamba e madhe krijuar nga yjtë, pa dashje u thye,
Dhe errësira majë pyllit qindvjeçar u ngjit e mbretëroi.

U ngrita dhe nga kasollë e vogël ika të kërkoj shpëtim,
Të rëndë e ndjeja veten, m’u mbush zemra helm e vrerë,
Qielli më kish lënë të jetoj, duke më bërë të madh dënim,
Bindjen time nga larg e përforcuan ca zëra të çjerrë!..

Të ecë vazhdoja nëpër pyllin që më kishte në gji,
Përbri lumit uji i të cilit dikur pluskonte dashuri, tash i mëngët,
I bindej errësirës që e vështronte egërsisht nga ajo lartësi,
E pastaj sikur donte të më zhbinte dhe mua, me at’ fytyrë të vrëngët!

Sytë e mi ngadalë vështruan me shpresë të sjellë mëngjesi shkëlqim,
Mbase në rrugë i dolën prerazi e ndalën dhe nuk erdhi mëngjesi,
Por, ata zëra të çjerrë si nga një magnetofon i prishur vinin pa pushim,
Nëpër kokë sillja pyetjen; Ekziston një forcë madhështore që e bënë llambën të ndrij përsëri?