>
LETERSISHQIP

Përderja

Sikur shumica prej jush, edhe unë kam pasur vende të ndryshme pune
ashtu që ndihem sikur të m’i kishin nxjerrë rropullitë e barkut e t’m’i
kishin flakur në erë.
rrugës kam takuar disa njerëz të mirë
e po ashtu
edhe asi të llojit tjetër.
ende kur i kujtoj të gjithë ata
me të cilët kam punuar –
bile sado që kanë kaluar dekada –
Karli
më bie ndër mend i
pari.

më kujtohet Karli: puna jonë e kërkonte që
të dytë të mbanim përparëse
të lidhura mbrapa dhe rreth
qafës me lidhëse.

isha vartës i Karlit.
“e kemi një punë të lehtë”, më
pati thënë.

secilën ditë derisa një nga një arrinin shefat tanë
Karli do të bënte një përulje të lehtë në bel,
buzëqeshte, dhe me nojmë koke
përshëndeste secilin: “mirë mëngjesi Dr. Stein”,
ose “mirë mëngjesi z. Day” apo
Zonja Knight ose nëse dama ishte beqare
“mirë mëngjesi, Lilly” apo Betty ose Fran.

Unë kurrë
s’flisja.

Karli dukej i brengosur lidhur me këtë dhe
një ditë më mori mënjanë: “hej,
ku n’hamam tjetërkund do t’i
kesh dy orë pushim dreke siç i kemi
këtu?

“askund, ma thotë mendja…”

“ani de, në rregull, për tipat si ti dhe unë,
punë më të mirë s’mund të gjejmë, krejt ç’na duhet
këtu e kemi.”
prisja.

“prandaj shiko, është vështirë t’u bësh lajka në fillim, as
unë nuk e kisha aq lehtë
por pas pak kohe e kuptova se kjo
s’kishte kurrfarë rëndësie.
sall u mbylla në lëvozhgë,
tash e kam lëvozhgën time, a e ke të
qartë?

e shikova dhe vërtet dukej si të kishte
lëvozhgë, kishte çehre si të maskuar
dhe sytë i kishte të pakuptimtë, bosh dhe
të pashqetësuar; shikoja në guaskë të shkokëluar e të rrahur nga
era dhe shiu.

disa javë kaluan.
asgjë nuk ndryshoi: Karli përkulej e laritej dhe buzëqeshte
i paepur, i përkryer në rolin
e vet.
që ne ishim të dëmtueshëm, kjo ndoshta s’kishte rëndësi për

apo
që zotat e mëdhenj mund t’na
shikonin.

E bëja punën
time.

atëherë, një ditë, Karli përsëri më
tërhoqi mënjanë.

“dëgjo, Dr. Morely më ka biseduar
për ty.”

“po?”

“më ka pyetur se ç’dreqin
ke.”

“çka i ke
thënë?”

“i kam thënë se je i
ri.”

“të falemnderit.”

si e mora rrogën, e braktisa
punën

megjithatë

edhe më tej
duhej
të pranoja punë të
ngjashme
dhe
derisa shikoja
Karlët e rinj
më në fund i fala të gjithë
përveç veten:

duke qenë i dëmtueshëm ngandonjëherë e bën
njeriun
të çuditshëm
pothuajse
të papunësueshëm
shumë të
urryer –
shërbëtor të paaftë të
iniciativës
së lirë.