>
LETERSISHQIP

Vdekja Po M'i Pi Purot

ta dini; sërish jam këtu
i dehur
po e dëgjoj Çajkovskin
në radio.
Jezu, e kam dëgjuar para 47
vjetësh
kur isha shkrimtar që vdiste urie
e ja tash këtu
prapë
e tash kam fituar famë të pjesërishme si
shkrimtar
e vdekja bredh
nëpër këtë dhomë
poshtë-lart
duke m’i pirë purot e mia
dhe verën time me gllënjka
të vockëla
derisa Çajku me ngulm merr hakun
me Pathetiquen e vet,
njëfarë rrugëtimi ka qenë
e i gjithë fati që pata pasur qe
ai që zaret i pata hedhur bash
ashtu si duhej:
vdisja urie për artin tim, vdisja sall që t’i
shtija në dorë 5 minuta të mallkuar, 5 orë,
5 ditë –
e krejt çka doja ishte ta nxirrja fjalën
prej vetes;
fama, paraja, s’e çaja fare kokën për to:
doja sall ta nxirrja atë fjalë nga vetja
e ata më donin buzë presës së stampimit,
linjës së montimit në fabrikë
donin të bëhesha magacinier në
shtëpi mallrash.

mirë de, thotë vdekja, derisa endej nëpër dhomë,
kot e ke do të të rrëmbej
çfarëdo që të kesh qenë:
shkrimtar, shofer taksie, kodosh, kasap,
parashutist, do të të kap…

mirë e ke zemër, i them.

e tash pijmë së bashku
derisa 1 pas mesnate kalon mengadalë në 2
pas mesnate dhe
sall ajo e di çastin
e duhur, por unë përnjëmend e
kam mashtruar: i kam pasur
5 minutat e mi të mallkuar
e bile, bile edhe më
tepër.