>
BIOSHQIP

Çiljeta: Berisha Ka Të Drejtë Per Gazetat Rozë

08-02-2012
Kryeministri Berisha ka sulmuar gjatë ditës së djeshme mediat, veçanërisht gazetarët e faqeve rozë, të cilët veç të rejave nga bota e spektaklit pasqyrojnë në gazeta edhe detaje sekrete nga jeta private e personazheve publike. Në mbledhjen e qeverisë ai paralajmëroi se do të ndryshojë ligji "Për të dhënat personale", për t'i dhënë një mbrojtje më të mirë personave nën hetim, por në mënyrë të veçantë artistëve dhe këngëtarëve. Kreu i qeverisë mori përsipër të flasë dhe me përqindje matematikore mbi vërtetësinë e atyre që shkruhen në mediat tona për VIP-at shqiptarë: "Pothuaj e tëra, në masën 80 për qind, bazohet absolutisht mbi scoop-in dhe jo ndodhinë reale. Përdoret scoop-i mediatik për të gjetur hapësira më të mëdha tregu e për të lënduar në mënyrën më të papranueshme kryesisht këngëtaret e artistet, më së fundi edhe meshkujt e më pas, edhe të tjerë", – tha Berisha, Kurse shtoi: "Qëmtohet e hulumtohet me një pasion patologjik mbi të dhënat personale private dhe jetën private të tjetrit". Nisur nga ky fakt, Berisha paralajmëroi se në këtë drejtim ligji do të rreptësohet: "Gjykoj se është e domosdoshme të ndërhyhet edhe në Kodin Penal, në interesin më maksimal të mbrojtjes së privatësisë". Berisha u ndal dhe në suplementet e fundjavës në gazetat shqiptare: "Po të vini re, wekend-i është i mbushur me shpifje, trillime, imagjinata nga më vulgaret, për këngëtaret, artistet, këngëtarët, artistët, si në asnjë vend tjetër". Këtu ai bëri një krahasim: "Ka edhe në botë nga një apo dy tabloide, por në fundjavë, shtypi shqiptar vihet në garë si të jetë më sensacional se tjetri". "Prandaj, – tha Berisha, duhet një mbrojtje ligjore ndaj dinjitetit dhe personalitetit të artistëve, shkrimtarëve, njerëzve tanë të artit, pasi e vërteta është se këta janë më së shumti objekt i një agresioni të vërtetë mediatik". Megjithatë, kryeministri nuk është i vetmi që mendon kështu. Në të njëjtin kah me të qëndrojnë edhe këngëtarët, të cilët si gjithmonë kërkojnë që të jenë prezentë në gazeta, vetëm për gjërat që ata duan të tregojnë, duke përfshirë rrallë herë në këtë mes edhe jetën private. Këngëtarja Çiljeta Xhilaga është një nga ato emra që me apo dashjen e saj e ka gjetur veten çdo fundjavë në kopertinën e ndonjë gazete, shpeshherë edhe me tituj abuzivë. E është pikërisht ky fakt, ai që e ka bërë Çiljetën, e cila përveçse këngëtare e njohur është edhe anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, të mendojë njësoj si kryeministri. Këngëtarja seksi ka thënë për "Gazeta Shqiptare" se: Përkrah në mënyrë absolute nismën e kryeministrit Berisha. Ka ardhur koha që gazetat të fokusohen më së shumti në jetën profesionale të artistëve dhe t'i lënë ata ta jetojnë të qetë jetën e tyre jashtë skenës. Këngëtarja ka shtuar, se gazetat janë bërë jo rrallëherë shqetësim për familjarët e saj dhe si për fund ka thënë: "Ka ardhur koha të marrin fund shkrimet e pabaza, të cilat na shqetësojnë çdo fundjavë familjarët dhe na e nxijnë jetën ne këngëtarëve".
(Eraldo Rexho Gazeta Shqiptare)

Çiljeta: Berisha Ka Të Drejtë Per Gazetat Rozë