>
BIOSHQIP
Biografia
Me këngëtarin Demir Zyko, kënga skraparase rilindi. Ndërsa me këngën "Mbeçë more shokë mbeçë" ajo i kapërceu kufijtë. Zëri i xha Demirit si një plumb shpon masivin e kohës më shumë se një shekullor dhe shkon atje tek varri i zbuluar i nizamit në Jemen. I këndonte xha Demiri dhimbjes. Sepse donte ta zbuste. Xha Demiri udhëtonte shkrepave të jetës me këngën që në moshën 10-vjeçare. "Kur isha i vogël nënia që në mëngjes sa më niste me bagëti më porosiste: Kur të dalësh atje të Shkëmbi i Tundur merrja një herë të keqen nënia që të dëgjoj a je gjallë. E unë këndoja sa shkundej fshati e tundej Tomorri! O ju malet me dëborë pse s'qani hallet e mia". Kështu tregonte Xha Demiri hapat e parë të këngës. Pastaj Demiri këndonte në çdo gëzim të bashkëfshatarëve të tij. "Për herë të parë jashtë rrethit kam kënduar në Përmet në 1950. Në një stërvitje ushtarake dy muajore", thotë xha Demiri. Më pas në Lezhë, Vlorë e tri herë në festivalet folklorike të Gjirokastrës. Kështu për 20 vjet me radhë Demir Zykua ka kënduar në skenën shqiptare ndërsa jehona e "oi"-së së tij ka kaptuar kontinentet dhe dëgjohet kudo ku ka shqiptarë. Ka kënduar mbi 100 këngë polifonike. Duke i dhënë këngës edhe shpirt edhe trup nëpërmjet zërit të tij magjik. Xha Demiri i përkëdhëlte këngët, siç përkëdhel fëmija lodrat. Ai qante e qeshte me to, si të ishin të gjalla. Qante varfërinë, këndonte për ditë më të mira. Sepse jeta e tij s'ishte këngë ndonëse këndoi tërë jetën. Mbijetoi në sajë të këngës. Vuajtjet i përcillte me këngë, gëzimet me këngë, hidhërimet me "oi"-në e këngës. Sa donte këngën s'donte veten Xha Demiri. Ishte njeri me shpirt artisti.
KATEGORI: