>
LETERSISHQIP

Të Ndjesh Ekzistencën

Të ndjesh ekzistencën tënde mbi tokë, zemrën tënde të ndjekësh në dëshira,
shpirtin të japësh jo për interesa të ngushta meskine, por për të mirën e të gjithë njerëzve,
të dashurohesh me varret, të besosh se ata që kanë ekzistuar para teje janë më tepër se ata që rrojnë,
pa lavdi, pa lule, pa kurora të marrëzisë kolektive, atëherë ke fituar, një copë, një truall, një vend në përjetësi.

Ekzistenca! Të ndjesh atë, më e larta gjë, këmbët e tua tek trokasin zhurmshëm në trotuare,
shiun që bie, botën tek përmbyset, një shpirt që në peshë të lirë “humbet” dy metër nën tokë,
humus, mermer, varre, botë tjetër, ndryshe nga e gjalla. Të ndjesh përtejshmërinë,
të kuptosh të vdekurit, shpirtrat kudo enden, atëherë ke kuptuar domethënien e jetës.