>
LETERSISHQIP

Atdheu Është Një Djalë Që Plaket

Atdheu është një djalë që plaket, rreshket fort dhe me bastun në dorë kërkon të jetë prapë i ri dhe i fortë, por jo nuk është,
gjithashtu është atdheu edhe një copë udhë me fletë të rëna dhe të verdha në një fidanishte që ngjan si parajsë, e zhdukur tanimë,
errësirë vjen në atë udhë dhe rreziqet shtohen, ujë ujëvare mbi kurriz bie pa fund në atdheun krejt të marrë,
gjarpërinjtë ecin nën këmbët e atdheut dhe të pastër jo nuk e lënë, vendin tonë kaq të vogël dhe aq të mjerë në të njëjtën kohë.

Begatia! Sa fjalë e bukur, por sa e rrallë, në atdheun e mbushur plot me bukuri, por të ngrënë dhe të bërë copë,
në udhë të pafundme bien gjethet dhe atdheu plaket, këmbën sëmurë si plak, stërmunduar e kanë bijtë e vet,
me sytë drejt perëndimit të flakëruar dhe të kuqerremtë sheh plaku në vazhdim, se vetëm e kanë lënë, djemtë që vetëm pasurinë ia kanë lakmuar,
shtohet vuajtja, rëndon kocka, edhe zemra pulson më pak, e atdheu është një djalë që plaket.