>
LETERSISHQIP

Zë Në Errësirë

Në një dhomë të errët jam, ku ka vetëm pakëz dritë, aq sa mund të jetë dritë e shpresës së madhe, për agim të ri,
e recitoj poezinë time, që vetë e dëgjoj, e që është kënga ime, njëkohësisht varri im,
së paku është një zë në errësirë, që buçet dhe ulëret, një furtunë që ngrihet në ajër,
si fluturimi i shqiponjave, nëpër detet e njerëzimit, që janë mbushur plot me ujë dhe me gjak e halle shumë, një spirancë e zezë bie në njerëzimin, më të madhin e amëshuar.

Është vetmia forcë e madhe, sa një det buçet dhe ulëret, se njeriu dhe harresa emërues kanë dallgë të trishtë,
poezinë nis e këndoj, sa dëgjohet gjithandej, sikur fyell i bariut, sikur kënga e baritorëve, ngrihen lart përmbi qiell, loti, malli, heshtja, dhimbja,
por shpresa ngrihet ndër të këqijat, se nëse edhe shpresa do të vdesë, jo më jetë të gjallë nuk ka,
shpresë! Mbahet gjallë kjo e fundit prej një poezie të lartësuar, prej një zëri në errësirë.