>
LETERSISHQIP

Lagjia E Përbaltur

Një lagje e varfër shtrihet në periferi të një qyteti të madh që don të hajë edhe rrudhat e fundit të mallkimit lindor,
një lagje e përbaltur prej gojëve të njerëzve, një fushë ku loz vegjëlia, një top dhe një portë, se kështu lozin fëmijët,
me emra myslimanësh, të mallkuarit në Europën që si zonjë e mban veten mbretëreshë të atyre që nuk e duan gjysmë-hënën, e theksuar kjo fort,
ngrihet për karshi, në xhaminë e madhe, në zërin e amëshuar, në lotët e fëmijës, në llucën e përditshme, kështu zhvillohet jeta në lagjen e përbaltur.

Fëmijët vetëm shtohen, naivë sa më s’ka, në lluca të përditshme, në nënën që lanë enët dhe pastron rrobat,
një fëmijë me barkun bosh i afrohet së ëmës, në shkallët e lagura me ujë që lan rrobat, në llucë e në baltë dhe me rroba të veshur krejt të ndyra,
djali i vogël më sheh teksa eci në atë lagje, e sheh ndryshimin me pjesën tjetër të kryeqytetit dhe me lagjet moderne të Tiranës,
e është i dashur, i dhembsur, mblidhet si prindëria, mblidhet e fshihet se varfëria të mbledh më fort se kërmilli në guaskën e vet.