>
LETERSISHQIP

Një Turk Në Napoli

Një turk të vjetër pashë në Napoli, në periferitë e tij, teksa zbrisja nga stacioni autobusit, i atyre autobusëve që ishin për emigrantët, kaq të lodhur,
ishte turk i lodhur shumë, i këputur dukej, shtresë e fundit, në mos më në fund nuk kishte se ku të shkonte, kaq keq ishte dhe vjetëruar,
më mbeti në mendje fytyrë e turkut, kjo për shkak se shpesh më ngjasonte si fytyrë turku e ushtarëve të Perandorisë Osmane që turreshin në Europë, në shekullin e XV,
e sa duket kohët kthehen, ndërsa fuqi dikur kishte Perandoria e Madhe, sot fuqi ka Europa, që lirinë ta siguron, por është liri në fund të kazermës, në një cep apo garzonjere të Napolit.

Kazerta, vend i mbushur me emigrantë që verës së flaktë ikin në det dhe bëjnë plazh ata, pa cadër, më kot, si njerëz që kanë përfunduar në periferi të errët,
një Napoli, një vend në zemër të Europës, por se në cepët e tij janë njerëz si mortje, si kocka të gjalla dhe më mirë me siguri vdekur sesa gjallë dhe ashtu,
emigrimi kaq i rëndë, punë e madhe dhe para e paktë, një lëkundje në horizonte të errët, ajo qytezë, ai vend, ajo erë e detit të paanë, mbushur me mbeturina,
dhe në erën e ftohtë të natës në Napoli ndihet forcë e madhe e lodhjes së tepert të ditës, nata e varros ditën dhe dita varros natën, në një varrosje të përhershme.