>
LETERSISHQIP

Shtëllungat E Natës

Lodhur jam sot, kockat më rëndojnë, natë është dhe po pi cigare me tymin që më vete në fund të barkut mua,
shoh turbullirë dhe liqen përpara meje kam, në fakt është shiu që ka rënë në një gropë si skeptike natën,
kurse errësirë shikoj pa pasur siguri as për të tashmen as për të ardhmen, se ku i dihet dikush mundet të vret rrugës, të ekzekuton në vend, kot pa arsye ose për inat,
dhe mendoj sa e zezë është kjo botë, një zezonjë si korba dhe bufa që kërcëllejnë tërë kohës së zezë, ashtu m’u shfaq avllia e shtëpisë sime të madhe nga jashtë dhe bosh nga brenda.

Cigarja ma trondit trupin, shtëllungat e saj më bëjnë të ndihem mirë dhe keq, helm dhe shpëtim janë ata, e dua të vdes sonte,
por tmerrohem dhe po e them se tmerrohem kur mendoj sa njerëz të këqij që ka ky glob dhe ajo që më la mua dhe nuk mund ta kem, por me vdekje do ta doja ta kisha pranë meje, atë vdekjen vetë,
e cigare e mallkuar dhe mallkim i Zotit rëntë mbi tradhtinë dhe të ligën, kafkat u shfaqshin te ata që në mendje dhe në zemër e kanë të keqen dhe të ligën,
e hapa portën e madhe me ngadalë, rrotat u dëgjuan deri te dhoma e babait që ka rënë të flejë me rrobat e vjetra që nuk i ndërron dhe ngjan si ata që rrinë rrugës, një ditë tjetër prapë me pret, mua tërë kohës nën presion, në familje, në punë dhe jam bërë gjysmë njeriu, një cung, një hiç i gjallë.