>
LETERSISHQIP

Shpërbërja

Shpërbërë jam, bërë copë – copë dhe në një mijë pjesë ndarë,
trishtuar siç më sheh, si një kloun që qesh, por më kanë rënë në stomak me çekan,
më tradhtuan shokët, më harruan të gjithë, më shkatërruan jetën dhe eci ku ta dish se ku dhe qysh,
ndër harresa dhe lumenj, natyra nuk ka gojë të flasë, të drejtët vdesin, Zeusi qesh me fatkeqësi të të tjerëve.

Si nata trishtuar pa masë, maskë e të nxirë dhe kullotje në atdheun e marrë peng, flutur e kthyer në krimb,
metamorfozë, dhimbje sa një oqean kam, vetëm dhimbje, e rrënohem si kripë deti, ndër saraje ka padrejtësi, është e sigurt kjo,
tradhtuar prapë jam, pas tradhtisë së parë, tradhti pas tradhtie, një vend që nuk e dua, dua të iki por s’ke se ku,
unë jam shpërbërë, njeriu dergjet në vendin e vet, plogështohet, se flamurin e drejtimit të jetës mua ma flakëruan dhe ma dogjën.

E shoh veten në pasqyrë, jo më fuqi unë nuk kam, as forcë, fytyra zbehur si dyll dhe bërë unë jam si vdekje,
më shajnë më thonë je i ligë, se më ranë të këqijtë dhe këtë ta thonë më të ligët që ekzistojnë, vend i kotë,
ç’trishtim ndjej, shpirtin e kam plagë – plagë, e ardhmja ime u mallkua, në një pasdite një grusht më ra kurse në një paradite ishin prangat pse s’harrova,
eci rrugëve të boshatisura, s’kam më forcë, as ndjej, asgjë, vetëm hesht e hesht, kam mbaruar, jeta qenka e ujqërve të zinj.