>
LETERSISHQIP

Nik

Hej Nik, ti je rritur në Malësi dhe fisi yt ka vrarë, e ndaj fëmijëria jote,
e ngujuar do të jetë, e ti vuajtshëm do të jesh, prit se një ditë, keqas do bëhet,
e do të vrasin, gjak në ty do marrin, ata shtëpitë matanë, që i sheh të vogla dhe me gurë,
se babai yt vrau një prej tyre, e babanë tënde e mori dheu para kohe, e presin të rritesh.

Kështu i thanë Nikut, të afërmit, që kur ishte në moshë të njomë dhe i dukesh atij,
vetja si një viç, që tashmë që ishte tepër i vogël duhej të rritej dhe të kishte peshë, e
se do përfundonte therur, vdekur, tamam si në thertoret e fshatit, në ditët më të pista.
e trembej kur vinte prej shkollës në atë kohë që kishte marrë besë, e ngujohej në dhomë të errët.

E i dukej ndonjëherë se dhe librat ishin sa jeta edhe vdekja e vet, se ishin shkronja të padëshiruara,
në një botë tepër të ashpër, ku ujkun nga mali mundeshe ta shohësh se ujk ishte, por njeriu ishte më tmerr,
se robi i gjallë ishte më dinak, vepronte me plan e shenjtani, e Niku veç zbardhej e përvjet dobësohej tej mase,
e së brendshmi bëhej gjithnjë e më i fortë, si skile ndoshta, por se ishte rob, që faj nuk kishte për gabime të tjetërkujt.

E një natë, në errësirë, kur ishte 14, jo më tepër, kur e sheh se njerëzit në shtëpitë matanë po ishin në banesa, se tym dilte ndër oxhaqet e tyre,
del prej kullës së vet, në besë të thyer sipas atyre “që e ruanin” e vërtitet dhe largohet tutje, për t’iu larguar gjakësve, fëmija i vetëm i familjes,
e merr udhët për kurbet, duke ikur nëpër fusha e male, nëpër ujët e oqeanit të pafund, ndër toka të huaja, që kurrë nuk i kishte parë, me anije,
në një liri të përsosur, që Niku as që mund ta mendonte dhe bëhet njeri e kaluar njeriut, e dashuron lirinë me shpirt e zjarr ndër gji.

Në vendin e largët ku mbërriti, në atë dhe ku kishte shkuar, e dinte se pas kishte lënë dhimbje e nënë që qante prapa grilave, e shkuara ishte e tij,
por për pak harroi, donte ta harronte atë zezonjë dhe nisi jetë të re, larg vendit të lindjes, larg armiqve dhe atyre që me pushkë, edhe ëndrrat ia nxinin,
e kështu punoi ndershmërisht për vite me radhë, ai vend iu bë shtëpi e dytë, pavarësisht se mbrëmjeve, në atë odë në vend të huaj, malli për nënën e vetme ia ngushtonte gjoksin,
por prapë mendonte vetëm të ikte, të arratisej, e se në mendjen e tij nëse kthehej një ditë, kullë mund të gjente, se nëna vdekur do ish, prej moshës së thyer, ndoshta varr kush pa i bërë.

Nëna vetëm vajtim e djali, Niku i saj, sypetriti dhe guximtari si ai, drejtësisht e ndershmërisht punonte dhe një jetë e re, pas 10 viteve larg atdheut i kishte çelur,
me nuse të re, e nëna jo nuk e dinte, e se për Nikun fshat i tërë fliste e dikush nuk fliste prej frikës, e disa ia thoshin Marës se djalin e kishte të vdekur e disa se jeton në parajsë,
e njëri syresh që e kishte vërejtur nga ca të afërm ka thënë se kanë dalë fjalë se edhe nip të ka lënë, edhe e vërtetë ishte, Niku me djalë ishte tashmë, me emrin Ilir,
se për atë liri shpirt e zemër kishte dhënë, e vijonte jetën e bukur, në rini të freskët, diku me frikë e drojë, e sa kalonin vitet, më pak frikë ndjente, se sikur gjarpërinjtë për të marrë gjak nuk i shihte e për to nuk kishte dëgjuar më.

Edhe një mik të mirë e kishte Niku, si vëlla e kish, edhe atij ia kishte dëftuar historinë e të shkuarën, por ai i kishte dhënë përkrahje gjithashtu,
e se këtë vëlla Niku e vlerësonte shumë, se nga vend i tij, askush as për shok e mik nuk e donte, sipas kanuneve dhe dokeve disi të rënda të zonës,
e se kështu rridhte ajo jetë, e bukur, e paqtë, me bukuroshen përkrah, një familje e lumtur me një nënë në Shqipërinë e tij, që nuk mund ta takonte,
edhe pse zemra për të më dysh i ishte ndarë, por duhet ta linte atë të shkuar, atë fantazmë të frikshme, atë natë të zezë që ia kishte vjedhur jetën e parë.

E, kur një fundjavë, Niku kishte dalë me familjen, me atë bukuroshe leshverdhë dhe fëmijën, i vogël ky, kur gëzim të babait kishte,
një makinë e zezë, ca burra të zinj, dalin prej andej dhe me të madhe brohorasin e maska në kokë i kanë, e i turren, si kafshët e egra presë,
e bashkëshortja e Nikut e merr fëmijën, largohet tutje, e gjakësit shtinë mbi të riun, derisa mbetet vdekur, në një vend të largët nga atdheu,
e gjakësit e pashpirt, të pabesë dhe ata, pritën po ata e bënë, vetë jo nuk ishin, por njerëz të paguar kishin përdorur, për të vrarë një njeri, që me dorën e vet kurrë krim nuk kishte kryer.

E Niku iku nga kjo jetë, në vendlindje i bënë varrim, dy lule dhe një nënë, edhe ata që për të iu vinte keq, në mort nuk i shkonin, prej frikës ndoshta,
një e zezë nënë veç lotoi sa toka gati po çahej, e prapa saj, shkoi edhe bukuroshe e largët, nga vend i huaj i marrë, e cila ia shtrëngoi duart nënës së vjetër, që djalin të vdekur ia sollën,
bukuroshja, reja e huaj, që në dorë kishte nipin e nënës së bërë zi nga lotimi, me lot në sy ia tha: “Mos qaj nënë e Nikut, jo mos qaj, ti s’ke pse loton,
djalin vërtetë shumë kohë nuk e pe, ai iku prej gjakësve, gjarpërinjve për ca kohë dhe deshi lirinë”, e duke ia dëftuar djalin, i shtoi “e lirinë të la”.

DËRGOI: