>
BIOSHQIP

Aventura E Fundit E Dj Blunt: “Nisi Në Verë Dhe Mbaroi Me Verën”

19-09-2015
Ata janë një nga dyshet më të preferuara të momentit dhe në fakt, këngët që kanë lançuar deri tani kanë pasur të gjitha sukses. Por Dj Blunt dhe Real 1 po i shijojnë më së miri frytet e famës. Të pranishëm në dhjetëra koncerte, qytete e shtete, ajo që nuk iu mungon është vëmendja e femrave e aq më pak romancat kalimtare.



Kohëve të fundit DJ Blunt është përfolur për një histori dashurie, lidhje që në fakt sipas reperit ka qenë vetëm një aventurë verore. “Gjithçka nisi në verë dhe mbaroi me verën”, është shprehur DJ Blunt, teksa këtë marrëdhënie e ka konsideruar një “summer love”. E siç duket dashuritë kalimtare dhe aventurat janë të shumta për këngëtarin e hitit të suksesshëm “Xhinset”, i cili tregon se angazhimet nuk e lejojnë të përkushtohet në një marrëdhënie e sipas tij, deri tani nuk ka pasur asnjë lidhje serioze. “Nuk është se i planifikoj unë lidhjet me femrat, thjesht kanë ndodhur, si me vajzën që jeton në Zvicër”, tregon ai.



I pyetur nga “Bluetooth” nëse ndarjet e tij janë nga ato dramatiket, apo përfundojnë me miqësi, reperi është shprehur se tashmë nuk është më koha për drama. “Shumicën e rasteve mbetemi miq. Kur kam qenë më i ri normalisht që kanë ndodhur ndarje dramatike, siç i ka hije (qesh), por tani jo më. E ndërsa duken të pandashëm me kolegun dhe mikun e tij Real 1, femrat sigurisht që rrëmbejnë një pjesë të mirë të kohës së DJ Blunt. Por a bëhet xheloz për këtë kohë të vjedhur miku i tij më i mirë? “Nuk bëhet xheloz. Real 1 e kam mik dhe koleg pune, ndërsa e dashura ka vendin e saj”.



Sidoqoftë, reperi i jep shumë rëndësi miqësisë së tij me Real 1, teksa shprehet se, “Dikë e lidh vetëm biznesi, ndërsa dikë tjetër e lidh miqësia! Kur je këngëtar dhe ke angazhime të shumta t’i gjithmonë je në udhëtime dhe gjithmonë ke kolegun/partnerin me vete dhe pikërisht këtu është shumë e rëndësishme të kesh miqësi me kolegun, ose partnerin dhe në këtë rast ne e kemi një përparësi, jemi edhe kolegë, por edhe miq të mirë”. Në një vlerësim për më donzhuanin, apo aventurierin mes tyre DJ Blunt thotë, “Unë jam aventurier, por edhe Real 1 nuk është shumë larg meje (qesh)”.



Aktualisht dy artistët DJ Blunt dhe Real 1 janë duke përgatitur një këngë të re, e cila do të shoqërohet me videoklipin përkatës. “Do të jetë një këngë shumë ritmike. Titullin e këngës akoma se kemi vendosur, megjithatë klipi del në muajin nëntor dhe do ketë shumë supriza të tjera”, ka përfunduar DJ Blunt.
(Bluetooth)

Aventura E Fundit E Dj Blunt: “Nisi Në Verë Dhe Mbaroi Me Verën”