>
BIOSHQIP

Djemte E Detit, Gent Demaliaj Në Gjendje Të Rëndë

11-04-2013
Këngëtari i mirënjohur Gentian Demaliaj, që njihet ndryshe si figura kryesore e grupit “Djemtë e Detit” është i sëmurë rëndë. Për kurimin e tij, Qeveria shqiptare ka vendosur të japë një fond me të cilin të mbështesë një pjesë të shpenzimeve spitalore. Shuma që jep shteti shqiptar është 35 milionë lekë të vjetra dhe vendimi është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë.



Sipas vendimit, pagesa do të bëhet me paraqitjen e faturave origjinale të spitalit ku ai do të marrë kujdesin e duhur shëndetësor, ndërkohë që shuma do të përballohet nga fondi rezervë i shtetit. Gent Demaliaj u mirëprit edhe si anëtar jurie në festivaleve të RTVSH, gjithashtu edhe nëmuzikale si ai me Elsa Lilën. Ai është i martuar dhe ka një vajzë, Edean, këngëtare shumë e talentuar që ka fituar në Festivalin e Shkodrës, çmimin “Zërat më të mirë”, ndërsa në Festivalin e Tiranës u vlerësua me çmimin “Interpretuesja më e mirë”. “Jakup Ferri”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Epos”, “Mos Qaj”, janë vetëm disa prej hiteve të këtij grupi.



Miku i këngëtarit: Beteja e Gentit me sëmundjen, është optimist

“Jo mos qaj ti o njeri i vetmuar, se jeta dorën ty nuk ta dha…”. Kënga e tij që bëri jehonë në vitet e para postkomuniste, duket se do të jetë himni i këngëtarit të madh Gentian Demaliaj këto kohë. Ai nuk është dorëzuar e as nuk është vetëm! Pas katër muajsh luftë me sëmundjen e rëndë, krijuesi i hiteve, një ndër zërat më të dashur të publikut është ende optimist. Shëndeti i lig nuk e ka mposhtur as nuk e ka gjunjëzuar. Përkundrazi, miqtë e tij, rrëfejnë se ai është ende i fortë dhe plot shpresa.
Gent Demaliaj është solisti i “Djemve të Detit”, një nga grupet shqiptare të rrokut, krijuar që në vitin 1989 e mbase një ndër më të rrallët e muzikës sonë. Shoku i tij prej 13 vitesh, Ilir Veliu tregon për “Gazeta Shqiptare” gjendjen shëndetësore të një prej këngëtarëve më të suksesshëm shqiptarë. “Ai është miku im i ngushtë, është pothuaj im vëlla”, e nis rrëfimin Veliu, miku i tij këngëtar duke shpresuar se e nesërmja do ta gjejë ndryshe Gentin.
Prej sa kohësh është i sëmurë Demaliaj?
Ka që prej muajit janar që ka pasur probleme me shëndetin. Fillimisht iu desh të bënte një ndërhyrje për shkak të shqetësimeve që i jepte shpretka. Më pas, është bërë operacion sepse pësoi hemoragji cerebrale. Kjo ndërhyrje doli me sukses dhe e mori veten. Tani ai vuan nga një sëmundje e rëndë për të cilën po kurohet.



Si e zbuloi?
Pati disa njolla në fytyrë, por në fillim merrte kurim për to nga një dermatolog. Madje bënte shaka shumë me këtë. Më pas, filluan dyshimet për to. Në janar më nxori mua nga spitali dhe shkoi vetë aty…
Deri tani, ku është kuruar?
Ka marrë kujdesin e duhur shëndetësor në Greqi. Por, pas ndihmës që i dha qeveria shqiptare ai do të shkojë pranë një qendre spitalore më të specializuar në Itali. Atje do të ndjekë kimioterapinë.
Qeveria ka dhënë një shumë modeste për kurimin e tij. Sa kushton në fakt kujdesi shëndetësor?
Kushton shumë. Deri tani ka paguar 3000 euro një seancë kimioterapie. Sigurisht që është shifër e lartë, por përveç parave që ka pasur vetë, e kanë ndihmuar miqtë dhe të afërmit që i gjenden pranë në çdo moment.
Cila është gjendja e tij shpirtërore?
Gjendja shpirtërore është e mirë, është shumë i fortë dhe optimist. Ai është një njeri me guxim të jashtëzakonshëm, nuk do t’ia dijë. Mund të them se i ngjan shumë këngës së tij “Mos qaj”.
Ku gjendet aktualisht?
Është në Tiranë, ku jeton me nënën e tij, me bashkëshorten dhe me vajzën, Edean, që e ka këngëtare të talentuar.



Si e kalon ditën?
Më së shumti në shtëpi. Del herë pas herë për disa minuta jashtë, në ajër të pastër.
A e përmend skenën, rikthimin para publikut dashamirës?
Aktualisht ai do të ringjallet, e ne po ashtu. Ka kohë për skenën e për këngët.
Çfarë thonë mjekët për gjendjen e tij?
Ata thonë se do të bëhet më mirë. Ne këtë duam sigurisht. Kemi shpresë e besim se ai do të shërohet dhe do të dalë sërish në skenë.
Sa mendohet të zgjasë terapia intensive?
Ajo zgjat, sepse tani është në fillimet e saj. Konkretisht, nuk e di se deri kur mund të shkojë. Për ne ka rëndësi që të ketë rezultate pozitive. Kaq.
(BalkanWeb)

Djemte E Detit, Gent Demaliaj Në Gjendje Të Rëndë