Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Tema: Poezi Për Shkollën

Nusja Nga Kosova

Kam dashur t'i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku Rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t'ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s'kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s'merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s'te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta...

Kam ëndërruar t'i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatarat e thella andej nga Kosova,
Se s'desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.

- poezi nga Dritero Agolli


- Poezia u dërgua nga Greta -

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.4 / Votuan:  80


Komente mbi këtë krijim


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet
Duke u ngarkuar... Prisni ju lutem
Shiko të gjitha komentet