>
BIOSHQIP

Dule Malindi, Interpretuesi I Njohur I Kenges Popullore Te Jugut

16-03-2012
Është ndër të parët instrumentistë, që ka marrë guximin të ndërhyjë në këngën popullore të Skraparit për ta përpunuar, por edhe për ta orkestruar atë. Me gjithë vërejtjet e profesionistëve, njohës të këngëve popullore, se kënga e Skraparit nuk pranon orkestër, veç isos karakteristike të saj, ai ia ka dalë mbanë duke sjellë risi në këngën e krahinës së tij, por edhe më gjerë, pa thyer dhe cenuar tabunë që kënga e Skraparit shoqërohet vetëm me iso. Ai shkon paralel sa në një krah, si pjesëtar i grupit të mirëfilltë folklorik, ashtu dhe në krahun tjetër, shoqërimin e këngës popullore me orkestër, këngën solo dhe duet. Por për t'u njohur më tej me këngën e Dules dhe me repertorin tashmë të pasur, bëmë këtë bisedë me të.

Dalëngadalë, por i sigurt, ju keni arritur goxha sukses në interpretimin ndryshe të këngës së Skraparit, mund, me pak fjalë, të na thoni rrugën e suksesit tuaj?

Ti e di se ne në Skrapar, në atë kohë, por edhe tani këngën e këndojmë kudo, në sebepe, dasma, gostira, po e po, por edhe në arë, në pyll, në çezmë vajzat kur mbushin ujë; nëna ime këndonte kur bënte punët e shtëpisë, sidomos në mëngjes kur tundte me tundës…

D.m.th, se ti je rritur me këngën?

Edhe ti, si unë je rritur me këngën, por dikush e ka më të ndjeshëm veshin, dikush më pak; dikush ka ndjeshmëri për këngën, dikush për diçka tjetër, si për shembull ti, që shkruan, ke ndjeshmërinë e të kapurit të gjërave, të fotografimit me mend, të leximit dhe të zbërthimit të personazhit, siç po bën në këtë rast me mua. Ajo që desha të thosha, është lirësia që kanë skraparllinjtë për këngën, për raportet që kanë ata me të, ata e kanë si të qarën me të qeshurën, dhe këtë të qeshur ata e shprehin me këngë…

Mirë, të vazhdojmë, ju kur keni ndjerë këngën?

Kënga popullore më ka pëlqyer që i vogël. Mbaj mënd në dasma, ne çunat rrinim pas derës ose në fund të odës dhe dëgjonim kur këndoni burrat, por më shumë prisnim deri sa t'ia merrte valles Njazi Spahiu. Hajde të kënduar, hajde të kërcyer, sidomos këngën e Dados, që më vonë u çua edhe në festivalin e Gjirokastrës. Të nesërmen, kur lëshonim kecërit ose përcillnim dhitë, në ndonjë bregore ia merrnim valles me radhë, dridheshim e spërdridheshim që t'ia arrinim Njaziut, por jo, ai seç kishte ca lëvizje të papritura dhe bënte një mimikë në fytyrë që të linin pa mend. Ja kështu, kur shkuam në shkollë, aty bëhej një punë më e organizuar, unë që në fillore kam qenë në grupin artistik të shkollës.

Me moshën që keni ju, besoj se u kanë zënë ato grupet amatore të fshatrave si të estradës, të teatrove të këngëve popullore, mbrëmjet e shumta të dëfrimit?

Po. Që moshën 16 vjeç i bija fizarmonikës, ku s'kam shkuar me të në krah në aktivitetet që organizoheshin, në fshatrat e zonës së Çepanit po e po, por edhe në shumë fshatra të Përmetit. Vinim e gjithë rinia, si atëherë. Mbrëmjet e dëfrimit mbylleshin ndaj të gdhirë, orkestër, dixhej, ishte fizarmonika ime. Megjithëse isha i privilegjuar si orkestrant, me një vegël bazë si fizarmonika, s'më linte haseti, sidomos kur shkonim andej nga fshatrat e Përmetit dhe shikoja se në grupet e tyre kishte hyrë klarineta. Nuk e zgjata, u nisa në një kurs 6-mujor për klarnetë në Tiranë. Kur u ktheva, tani "ishte bërë Muçua me dyfek", vazhdova të shkoja edhe nëpër dasma, kur shkova në ushtri, po prapë zanatin. Dhe kështu pak nga pak, njeriu s'ngelet në vend, rritet!…

Kur filluat të dilnit në publik ose të publikoheshin me ato kasetat e famshme të magnetofonave?

Vitet ‘90 mua më gjetën në Turqi, ku ndenja 11 vjet me radhë. Domosdo që aty mora me vete edhe klarinetën time të dashur. "T'i bie kur të mërzitem", thashë me vete kur ika. Por jo, edhe atje më doli punë, merrja pjesë herë pas here në veprimtaritë e konsullatës sonë atje, në aktivitetet e shoqatës së shqiptarëve të Stambollit, por edhe në dasma të shqiptarëve të vjetër, dasma të bukura, me ato zakonet e para.

Pse ikët nga Turqia?

Thjesht për të ardhur në vendin tim, jo në kuptimin patriotik, por këtu kishte hapësira të pamata për çdo gjë, aq më tepër për pasionin tim, këngën. Sa erdha që andej ngritëm një grup instrumentistësh me një grup shokësh. Merrnim pjesë në veprimtari të ndryshme, por sidomos në dasma. Dalëngadalë fillova të këndoja bashkë me shokët, por edhe vetëm, të krijoja këngë që këndoheshin solo. Mu duk se isha, në rrugë të mbarë. Tani, veç veprimtarive të plota dhe të organizuara muzikore, kam nxjerrë disa albume me këngë. Kam kërkuar bashkëpunim me autorë të njohur tekstesh. P.sh, për diskun e parë me titull "Djali në Tomorr", kam bashkëpunuar ngushtë me poetët Xhevahir Spahiu dhe Jorgo Papingji. Për këngën e kurbetit kam dhe disa këngë të tjera kam bashkëpunuar me Bledar Koçin, ndërsa për orkestrimin, me kompozitorin Klodian Qafoku. Kam bashkëpunuar me këngëtarët si Shkëlqim Beqiri, Evgjeni Çuli si dhe me grupin "Demir Zyko", këtu në Tiranë dhe grupin e valleve të Skraparit etj.

Kemi parë që videoklipet i keni me sfonde të natyrës së bukur shqiptare?

Sipas mundësisë, pasi ka edhe shpenzime të regjistrosh këngë, por unë videoklipet kam qejf t'i regjistroj në natyrën e bukur të Skraparit, në Kanionet e Osumit, Mullirin e Babait, Urën e Kasabashit, në Çorovodë, Bogovë, Kulmak etj., atje, ku këngët e bukura ngjisin dhe harmonizohen me natyrën tonë të mrekullueshme.
(Zylyftar HOXHA)

Dule Malindi, Interpretuesi I Njohur I Kenges Popullore Te Jugut