>
BIOSHQIP

Edita Sopjani, Ende Beqare

31-08-2012
Edita Sopjani ende askujt nuk ia ka falur zemrën. Kësaj vere ka kaluar pushimet në bregdetin shqiptar në shoqëri të familjes së saj. Këngëtarja Edita Sopjani, në një bisedë për Express, thotë se ende nuk e ndien veten të dashuruar. Ajo nuk dëshiron që zemra e saj të lëndohet, mbase për këtë arsye nuk e lejon ende askënd të futet brenda saj! "Është mjaft e vështirë të rrëmbehet zemra ime. Është mjaft e sigurt tek unë, e dua shumë dhe s'dua të lëndohet, them kështu pasi që s'ka dalë ende dikush që mund t' më ndryshojë mendjen dhe ta jap atë". Këngëtarja e hitit "Tjetër kush" për pothuajse një vit nuk ka sjellë këngë të reja. Thotë se për momentin është duke pushuar dhe po kalon çaste shumë të mira me familjen e saj. Ndërkohë, ajo nuk përmend ndonjë datë të caktuar se kur do të sjellë këngën e saj të re, edhe pse tregon se tashmë ka filluar të punojë për këngën. "Nuk mund të jap ndonjë datë të caktuar se kur do të vijë kënga e re, mirëpo kam filluar të punoj në këtë drejtim. Do të duhet kohë deri në finalizim, pasi që kënga do të dalë së bashku me videoklip", thotë ajo. Edita ka filluar të merret me muzikë qysh në moshën tetëvjeçare. Kurse për të gjitha të arriturat e saj, ajo falënderon familjen. "Unë prej moshës tetëvjeçare jam në skenë dhe është bërë kohë e gjatë, për gjithë atë që kam arritur në jetë dhe në muzikë i falënderohem familjes. Ata më kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe më kanë mbështetur në gjithçka që kam pas nevojë. Jam shumë e dhënë pas familjes", shton këngëtarja. E përmendëm që nuk ka sjellë këngë të re, megjithatë ajo ka qenë e pranishme nëpër shumë mbrëmje muzikore të organizuara gjatë verës. Thotë se në çdo vend që ka shkuar ka kaluar për mrekulli. E kemi parë të duket bukur në çdo paraqitje të saj. Ajo thotë se kujdeset për dukjen, ngase në këtë mënyrë e respekton publikun! "Mundohem që t'i kushtoj rëndësi paraqitjes në skenë para publikut sepse në një mënyrë është një lloj respekti që unë i bëj publikut tim. I falënderoj motrat e mia, të cilat kujdesen për mua në përgjithësi", vijon Edita. Sipas Editës, çdo femër duhet të kujdeset për dukjen e saj... mirëpo asaj nuk i pëlqen fakti që kohës së fundit femrat edhe gjatë ditës përdorin grim të tepruar. "Mendoj se pastërtia e një femre vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Edhe pse femrat në ditët e sotme janë fokusuar shumë pas dukjes, përdorin veshje dhe grim ekstrem... ndoshta edhe më shumë se ne që jemi fytyra publike, përkundër që dalin thjesht për të pirë një kafe. Ndërsa ne e kemi si një lloj obligimi të dukemi bukur, sidomos në skenë". Kësaj here, Edita së bashku me familjen e saj kanë kaluar pushimet në Shqipëri. Këngëtarja ka shumë vende të preferuara për të pushuar, mirëpo tregon se kur është në shoqëri të mirë, nuk ka rëndësi vendi se ku ndodhen. Ajo ka shtuar se ka shumë plane për të ardhmen. E se cilat janë ato? Edita me kohë do t'i zbulojë!
(Express )

Edita Sopjani, Ende Beqare