>
BIOSHQIP

Eli Fara: Jam E Rrethuar Nga Njerëz Që Më Bëjnë Të Ndihem Femër

07-09-2013
U shfaq me kostum meshkujsh në klipin e ri “Hallakatem”, në një bashkëpunim të dytë me grupin “Mangavatu”. I kanë ndodhur kontrastet në jetë dhe ndaj preferon që t’i praktikojë në artin e saj, duke u prezantuar sa sensuale me rikthimin e kaçurrelave të rinisë pas 15 vitesh, aq dhe e fortë nën një kostum burrash. Eli Fara flet se si ndihet në këtë ritëm intensiv të kohës, praktikimin e jogës për të mbajtur trupin të tonifikuar dhe planet e saj në muzikë.
Në klipin e fundit “Hallakatem” shfaqesh ndryshe, duke filluar nga ngjyra e flokëve apo kaçurrelat e tua të rinisë pas 15 vitesh. Ka lidhje me jetën tënde aktuale kjo shfaqje më festive në klipe?
Gjërat vijnë vetë. Erdhi momenti që unë të ndryshoja ngjyrën e flokëve apo t’u rikthehem kaçurrelave dhe e bëra. Po ashtu dhe meloditë e bukura, vargjet për të bërë dy klipe afër njëri-tjetrit erdhën në të njëjtën kohë. Thjesht jam ndier e plotësuar në të gjithë elementet dhe kaq.
Te klipi “Hallakatem” i këndon dashurisë, po sërish asaj të munguar? Po në jetën tënde sa prezente është kjo ndjenjë?
Mos ma qani hallin (qesh)! Në fakt bëj shaka, por dua të them që nuk kam kënduar për veten.
Në një nga skenat e klipit shfaqesh e veshur me kostum meshkujsh. Cila është domethënia?
Thjesht mendoj se më shkon dhe nuk ka asnjë domethënie tjetër. Meqë kënga është konceptuar si një lojë dhe “Mangavatu” janë grup dhe unë vetëm, mendova të mos shfaqesha e njëjta Eli me fustane klasikë.
Të ka ndodhur ndonjëherë që në të papriturat e jetës të mendosh dhe veprosh si burrë?
Jo. Kush më ka lënë mua të mendoj si burrë?!
Domethënë je gjithmonë e rrethuar nga njerëz që të bëjnë të ndihesh femër 100 për qind?
Po, sigurisht.
Atëherë fabulat me dashuri të pamundur ngjisin më shumë në publik dhe kjo është arsyeja?
Mua në fakt më pëlqen loja e fjalëve dhe frazat provokative në këngë brenda atij kufiri që unë njoh, të paktën për veten time. Në këtë mënyrë, unë bëhem pjesë e jetës së të gjithë njerëzve me këngët e mia.
Në bashkëpunimin me “Mangavatu” ti u përshtatesh atyre apo ata ty?
Si në këngën e parë “Romale” dhe në “Hallakatem” ata vijnë rreth meje, duke më shprehur admirimin se sa e mirë jam unë, pra kjo është ideja e grupit. Ata këndojnë në gjuhën e tyre dhe kjo tingëllon shumë bukur dhe festive në këngë me vargje ngacmuese dhe gjithë lojë.
Ftesat për koncerte si kanë qenë këtë vit, ku ke kënduar më shumë?
Më parë më shumë koncerte kishim në Greqi, ndërsa këtë vit në Itali dhe Amerikë për festat e mëdha, dhe ndodh shpesh të marr ftesa edhe për një dasmë. Ndonjëherë më pyesin për një dasmë shkon deri në Amerikë, a ia vlen?! Dhe unë u përgjigjem: “Patjetër që po, edhe pse pagesat nuk janë marramendëse siç flitet, po relativisht të mira”.
Shumë këngë të reja, ke planifikuar t’i përfshish në një album?
Albumin do e nxjerr me një përmbledhje këngësh që kam realizuar deri tani, plus dhe tri këngë të reja. Do të jetë një përmbledhje e gjinive; serenatë, dance, club, edhe pse më ka marrë malli për muzikën popullore.

“Kam pasur mundësi të mos bëja një jetë me kaq mundim e lodhje”
Ke lindur në Korçë, por sa e afeksionuar je me detin?
Më pëlqen deti. Unë mundohem që verën ta kaloj afër detit, në Durrës. Tani që bën nxehtë, nuk kam pasur shumë mundësi, pasi kam qenë e angazhuar me klipe, punë e koncerte, por mundohem ta shfrytëzoj sa mundem.
Në ç’mënyrë e mban trupin të tonifikuar?
Nuk jam tipi i palestrës, pra nuk e kam pasion. E ngaqë nuk merresha dot me ushtrime të rënda, vendosa të marr instruktore private në shtëpi për ushtrimin e jogës. Kam bërë ushtrime për tonifikim, dhe për të marrë format e duhura për sa u përket barkut, krahëve dhe këmbëve. Ndërsa në lidhje me ushqimin, ka raste që bëj kujdes, dhe ka raste po ashtu që ha çfarë të dua.
Ke provuar ndonjëherë ulje dhe ngritje drastike në peshë?
Jo, asnjëherë. Pesha ime mbetet pothuaj konstante me një kilogram më shumë e një kilogram më pak.
Domethënë koha jote ikën shumë shpejt, të tremb kjo gjë?
Jo, nuk e kam mendjen fare te vitet dhe nuk trembem nga kalimi i kohës. Duket sikur gjërat i bëj për herë të parë çdo vit.
Kur reflekton për jetën që ke bërë, çfarë thua me vete?
Them që kam pasur mundësi që të mos bëja një jetë me kaq mundim e lodhje, pra të jetoja dhe më mirë se kaq. Por në jetë nuk i planifikon dot gjërat dhe as i merr dot me mend. Gjithsesi, në fund të fundit përfiton eksperiencë dhe mëson më shumë për gjëra që të hyjnë në punë.
Dhe çfarë është më e rëndësishme për ty në jetë?
E rëndësishme është të mos trishtohem, të jem optimiste dhe pozitive. Personalisht mundohem të mos bie në trishtim.
Është mosha jote më e bukura për një femër?
Deri tani bukur. Po më e bukura? Nuk e di, pasi mund të ketë edhe më bukur më pas.
Kur të komplimentojnë me fjalën dukesh si 20 vjeç, ti si ndihesh?
Jo, nuk u kushtoj shumë rëndësi. Më duket e ekzagjeruar dhe nuk është se dua të dukem si 20-vjeçare. Më pëlqen vetja kështu si jam dhe me këtë moshë që kam.
Në veshjet e tua ndihesh më vetvetja me të bardhën, të zezën apo kontrastin e të dyjave?
E bardha më jep paqe. Ndërsa të zezën nuk e pëlqej te të tjerët, por në veshjet e mia më duket sikur jam unë. Kontrasti i tyre pastaj më pëlqen shumë. Zakonisht në veshjet e mia më mjaftojnë ngjyrat, aq sa kuptoj se bizhutë janë të tepërta, pasi nuk më shkojnë.
Kontrasti të pëlqen edhe në jetë, apo preferon një jetë që të shkojë në vijë të drejtë?
Kontrastet më kanë ndodhur në jetë, jo se më pëlqejnë.
(Panorama Plus)

Eli Fara: Jam E Rrethuar Nga Njerëz Që Më Bëjnë Të Ndihem Femër