A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Elina Duni, Këngët Popullore Shqiptare


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4 / Votuan:  5
[13-12-2012]
Këngëtarja Elina Duni & quartet vjen me një koncert në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, në vijim të turit të saj në Prishtinë dhe Shkup, në promovimin e albumit të saj të ri "Matanë malit". Koncerti në Tiranë mbahet më 17 dhjetor në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa harta e aktivitetit të Elinës përfshin pesë koncerte që përbëjnë në fakt kalendarin e jubileut të parë të festivalit ndërkombëtar "Tingujt e flautit" që po mbahet në Kosovë.

Tashmë me famë, Elina Duni është vlerësuar me të njëjtën pritje edhe në Kosovë, duke u cilësuar si veçantia e edicionit të sivjetëm në festival. Ndërsa albumi "Matanë malit" është promovuar së pari në turnetë që Elina ka organizuar në Amerikë, të cilën mediat e atjeshme kanë dhënë vlerësim të

lartë. Albumi është konsideruar fëmijëria e këngëtares, ku tingujt interferojnë me versione të përpunuara të këngëve popullore shqiptare. Më herët është shkruar mbi këngëtaren, për pritjen e saj në Amerikë ekzakt për albumin e ri.

Në një shkrim të titulluar "Elina Duni: Love, Lust And Albanian Folk Songs" (Elina Duni: dashuria, epshi dhe këngët popullore shqiptare), të botuar në portalin e njohur "NPR Music", autori Tom Moon shkruan se Elina Duni është pjesë e një klase të jazz-muzikantëve që janë në ngritje. "Përhapja e edukimit formal të muzikës jazz ka krijuar një ngjallje të muzikantit global: atij që përdor improvizime dhe mjete tjera të lidhura me jazz-in për të transformuar muzikën folklorike dhe tradicionale. Këngëtarja shqiptare Elina Duni është pjesë e kësaj klase në ngritje. Albumi i saj i fundit, 'Matanë malit' ofron një balancim, që të shpon tejpërtej, të së vjetrës dhe së resë", – shkruan "NPR Music".

Kur këngëtarja dhe kompozitorja Duni po rritej, ajo thotë se i ka kushtuar vëmendje muzikës folklorike, aq shumë të dashur nga gjyshërit e saj. Ajo shkoi në shkollën e muzikës në Zvicër, dhe atje një mik i saj pianist e pyeti nëse dinte ndonjë këngë tradicionale shqiptare. Ajo i tha se nuk dinte. Kjo e dërgoi atë në një kërkim për të zbuluar muzikën e atdheut të saj.

Një prej këngëve të albumit të saj të ri është "Kjani trima", e cila është një këngë popullore që ka ushtuar nëpër Ballkan për një kohë të gjatë.

"Është e sigurt të thuhet se versioni i Dunit, me vokalin e vet madhështor dhe hijerëndë dhe me mbështetjen shumëngjyrëshe, nuk është edhe aq tradicional. Por nxjerr në shesh alkiminë prapa këtij koleksioni që të shpon tejpërtej. Megjithëse të stërvitur si improvizues, Duni dhe grupi i saj i trajtojnë këto melodi vajtuese me respekt dhe nderim të madh. Kur Duni këndon, ajo është e vetëpërmbajtur por e fortë derisa i shtrinë temat, duke i shtyrë ato derisa të jenë gati për të kërcitur. Muzikantët e saj e rrisin efektin, duke e rrethuar atë me akorde të bukura, të zgjerueshme dhe të nuancuara që mbartin gjurmë të Maurice Ravel dhe Bill Evans", – shkruan më tej "NPR Music".

Duni ka punuar me këngë popullore shqiptare që nga viti 2004. Ajo i konsideron ato qendrore për artin e saj dhe thotë për këtë portal se është e prekur nga poezia e tyre çdo herë që këndon. "Tekstet flasin për dashuri, epsh dhe nder, mjerim dhe këmbëngulje, marrëdhënie të njeriut me tokën dhe vdekjen. Dhe nuk keni nevojë ta kuptoni gjuhën shqipe për të kuptuar se çfarë po ndodh këtu. Duke filluar me muzikë të zymtë, Duni dhe grupi i saj gjarpërojnë në fushën e tyre të këndshme dhe lartësuese", – shkruan "NPR Music". Edhe media të tjera amerikane kanë shkruar dhe e kanë vlerësuar albumin e Dunit. E lindur në Tiranë në vitin 1981, gjatë regjimit komunist, në një familje artistësh, Elina Duni i bënë hapat e parë në skenë si këngëtare që në moshën pesëvjeçare dhe fillon të studiojë violinën. Prej vitit 1986 deri më 1991, ajo merr pjesë në disa festivale për fëmijë dhe këndon për Radio-Televizionin Shqiptar.

Në vitin 1991, pas rënies së regjimit, ajo arrin në Zvicër dhe vendoset në Gjenevë, ku studion për piano klasike në Konservatorin e Muzikës së Gjenevës dhe vazhdon studimet në Collège de Saussure, ku e zbulon jazz-in.

Në vitin 2000, pas marrjes së "Diplomës artistike", Elina futet në "shkollën e jetës". Ndërmjet viteve 2000 dhe 2004, ajo luan në filmin shqiptaro-zviceran 'Yllka' dhe bashkëkompozon muzikën. Ajo mban disa koncerte të jazz-it nëpër Shqipëri dhe luan në një shfaqje teatrale.

Ndërmjet viteve 2004 dhe 2008 ajo studion muzikën dhe kompozicionin në Shkollën e Lartë të Artit në Bernë, në departamentin e jazz-muzikës. Gjatë kësaj kohe ajo e themelon grupin Elina Duni Quartet bashkë me Colin Vallon në piano, Patrice Moret në bas të dyfishtë dhe Norbert Pfammatter në daulle, duke u kthyer në burimet e saj muzikore, një kombinim i këngëve popullore ballkanike dhe muzikës jazz.

Në vitin 2008 albumi i parë i Elina Duni Quartet, "Baresha", u editua nga Meta Records dhe mori vlerësime të larta nga shtypi gjerman dhe zviceran. I njëjti label, në vitin 2010, e editon edhe albumin e dytë 'Lume, Lume', i cili pranohet mirë nga shtypi zviceran, gjerman, austriak dhe ai frëng. Në shtator të vitit 2012 kuarteti editoi albumin e tretë, por kësaj radhe në ECM Records "Matanë malit", që është një homazh ndaj Shqipërisë, album ky që mori çmimin "Jazz Pott Prize" në Esen të Gjermanisë.
 ( Gazeta Standard)





Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019