>
BIOSHQIP

Elita 5: “Çelësi Jonë I Suksesit është Korrektësia Ndaj Publikut”

05-07-2014
​"Elita 5” rikthehet pas 10 vjetësh me albumin “Mohikani i fundit”. Vokalisti i grupit, Arif Ziberi në një intervistë për “Shekullin” tregon më tepër rreth albumit. Rrokerët nga Maqedonia prezantojnë 11 këngë dhe klipin e këngës “Më fal”, në të cilin tregohet një lidhje dashurie mes një vajze dhe një ushtari.

Aktualisht ata janë duke punuar për realizimin e klipeve të dy këngëve të reja: “Welcome to Albania” dhe “Si një meteor”. “Mohikani i fundit” është një titull për të cilin anëtarët e grupit ranë dakord duke pasur parasysh baticat dhe zbaticat që kanë kaluar gjatë rrugës.



Promovimin e albumit fillimisht e prezantuan në një koncert madhështor në Tetovë, e ndërsa do ta vazhdojnë gjatë verës me një tur gjatë gjithë trevave shqipfolëse, përfshirë këtu edhe Tiranën. Ziberi përtej albumit tregon se, çdo gjë e realizojnë me bashkëpunimin e njëritjetrit, duke u mbështetur te shijet dhe pritshmëritë që ka publiku. “Te dashuria mbështetemi, sepse është një gjë që u mungon aq shumë njerëzve të sodit”, shprehet solisti.

Pavarësisht se asnjëherë nuk do të marrin pjesë në një festival, çelësi i suksesit për ta është korrektësia ndaj publikut. Ata nuk do ta kategorizonin kurrë veten tek ato grupe që vënë dorën në xhep për të interpretuar playback. Ndërsa, për pjesëmarrjen e tyre nëpër fushata elektorale solisti shprehet se, ne vetëm këndojmë, ndërsa politikën e bëjnë politikanët. Kurse për grupet muzikore komerciale që i dëgjojnë të rinjtë, ai thotë se nuk ka asgjë kundër, pasi kjo ngelet në shijen e tyre.



Cila ka qenë hera e fundit që Arifi ka thënë “Më fal”?

Unë e përdor shumë shpesh fjalën “Më fal”, së fundmi e kam përdorur dje.

Në këngët tuaja mbizotëron dhimbja e dashurisë, këtë përzgjedhje e bëni, sepse merrni më së tepërmi pritshmërinë e publikut apo... ?

Po, ne merremi edhe me pritshmëritë e publikut, por përzgjedhjet i bëjmë të gjithë si grup së bashku.

Ku bazoheni për përzgjedhjet e tematikave?

Kryesisht bazohemi te dashuria, që njerëzve u mungon aq shumë në kohën e sodit.



Keni deklaruar se nuk do të merrni pjesë në ndonjë festival... Vazhdoni t’i qëndroni besnik këtij mendimi?

Jo, në festivale nuk do marrim pjesë asnjëherë.

Cilat janë motivet që ju kanë shtyrë të bëni këtë zgjedhje?

Nuk ka ndonjë motiv që na ka shtyrë të marrim këtë vendim, por që prej fillimit të karrierës kemi pasur këtë mendim.

Muzika që bëni është e pëlqyer nga çdo grupmoshë, dëgjohet në çdo ambient, në çdo kohë… pothuajse të gjitha këngët tuaja janë kthyer në hite. Cili është çelësi i suksesit tuaj?

Çelësi i suksesit është korrektësia ndaj publikut. Grupi “Elita 5” kudo që paraqitet performon live dhe publiku di që ta.
(Shekulli)

Elita 5: “Çelësi Jonë I Suksesit është Korrektësia Ndaj Publikut”