>
BIOSHQIP

Prokuroria: Vdekja E Emmy-T, Vrasja E Qëllimshme

14-12-2013
Prokuroria ka vendosur ta kthejë për rishqyrtim ngjarjen e dhimbshme të vdekjes së këngëtares Emmy. Aziz Klemendi, biznesmeni kosovar i dënuar për “vrasje nga pakujdesia”, rrezikon burgun sërish.

Prokuroria ka dhënë konkluzionet dje në Gjykatën e Apelit, duke ndryshuar akuzën ndaj Kelmendit nga “vrasje nga pakujdesia”, në “vrasje me dashje”. Gjithashtu ka kërkuar që çështja të rigjykohet, pasi janë konstatuar shkelje dhe mangësi serioze.

Pas Gjykatës së Apelit, edhe Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e dënimit të biznesmenit Aziz Kelmendi me 2 vjet burg dhe ta kthejë çështjen për shqyrtim nga e para.

NGJARJA

Këngëtarja e njohur me emrin Emmy, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të datës 28 shkurt 2011 pasi u plagos rëndë nga biznesmeni kosovar, Aziz Kelmendi, pranë pub “Venue” në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi pasi këngëtarja 21-vjeçare u tërhoq për disa metra zvarrë nga automjeti tip “Tuareg” me targë 612 KS 188, i drejtuar nga Kelmendi.

“Pak para ngjarjes ajo kishte debatuar ashpër me biznesmenin. Shtetasi Aziz Kelmendi, pasi ka ecur disa metra ngadalë, më pas ka rritur shpejtësinë dhe para lokalit ‘Bang-Bang’ ka frenuar. Në këtë moment viktima është shkëputur nga mjeti duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë”, – thuhej në kërkesën për gjykim të Prokurorisë.

Emmy u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, në gjendje kritike për jetën. Ajo iu nënshtrua një operacioni në kokë dhe arriti të mbijetonte vetëm për pak orë, duke ndërruar jetën rreth orës 02:00 të datës 28 shkurt 2011, në spitalit.
(Shekulli Online)

Prokuroria: Vdekja E Emmy-T, Vrasja E Qëllimshme