>
LETERSISHQIP

Foshnjat E Kurbetit

Në vapë, në shi e në borë –
Nënat kurbetçare me foshnja në dorë!
Rrugët e Evropës - i çojnë drejt Kosovës,
Rrugët e Kosovës – i kthejnë drejt Evropës!

Foshnjat e kurbetit – s’ dinë ç’ është gjumi i djepit,
Ninullat e gjyshes, as loja e Shën Gjergjit!
Foshnjat e kurbetit – s’ dinë ç’ është ujë i kroit,
Flladi i ahishtave, as era e ftoit!...

Foshnjat e kurbetit rriten në shtegtim,
N’ rrugëtime drejt Lindjes – kthim në Perëndim!
N’ trena, aeroplanë, tragete, vetura...
N’ pelena të lara me lotët si gurra!

Foshnjat e kurbetit, po sa i çelin sytë –
Nëpër rrugë t’ Evropës – ardhmëria i pritë!
Dhe çdo njëra, Zotin, e pyet n’ gjuhë të vet:
“A jemi ne fajtore, pse kem lind n’ kurbet?!”

-Rrugëtimet e gjata ne na e ndalin rritjen,
Bashkë me prindërit tanë për ta parë vendlindjen!
Në vapë e rreziqe netëve të pa gjumë,
Kufijve t’ Evropës, duke pritur shumë!

-Shpesh na u këputën ëndrrat, shpesh na u ndërpre kënga,
Duke përjetuar shumë skena të rënda!
Shpesh herë faqet tona na i lanë me lot,
Gjyshërit edhe gjyshet që na presin kot!

-Sa herë shkojmë n’ pushime, prej vere në verë –
Gjyshi edhe gjyshja na presin në derë!
Pak me buzagaz e më shumë lot e vaj,
Mallin dhe gëzimin, vështirë mund t’ i ndaj!

-Pastaj fillojnë lojërat edhe përqafimet,
Nga buzët e shkrumbuara i dëgjojmë rrëfimet!...
Ditën, këngët tona i dëgjon mëhalla –
Natën na zë gjumi pranë gjyshes me përralla!...

-Sa çelë e mëshelë sytë, pushimet kalojnë,
Gjyshi edhe gjyshja nisin e mendojnë!...
Si do t’ kalojmë ne, prapë në rrugë të gjata –
Ata nuk bëjnë gjumë me ditë e me nata?!

-Dalin, na përcjellin prapë sikur çdo herë,
Pa fjalë e pa frymë, me lot shikojnë n’ derë.
Na shikojnë për mbrapa deri në largësi –
Dhe kthehen pa shpirt në t’ lashtën shtëpi!

-Me ditë e me javë, pinë medikamente,
Me gojë e në letër, shkruajnë testamente!...
Sepse trupi i tyre, kurrë nuk gjen qetësim –
Deri sa fëmijët të mbërrijnë në mërgim!