>
LETERSISHQIP

Rruga E Mbarë Fëmijët E Mi

Përfunduan dasmat, këngët edhe sazet,
Fundi i Gushtit, na la në vetmi.
Përfunduan lojërat – oborri mbet zbrazët,
Shtëpia pushon në heshtje e qetësi.

S’ ka ma këngë, zhurma, as lodra,
S’ ka vallëzim, as argëtim,
S’ ka buzëqeshje, as shëtitje te Kodra,
S’ ka përqafim, as ledhatim!...

Sofra mbet e zbrazët dhe lahet me vaj -
Me almiset tjera e palosur në një qoshe,
Sepse ma nuk ulet askush për rreth saj,
Lugët dhe pjatat të gjitha mbeten boshe!...

Si s’u shterën kurrë prej lotësh?!
Goja e nënës – liqe që s’ thahet,
Zemra e nënës – planet që s’ ndahet!Papagajtë vëzhgojnë
Në heshtje e në maraz –
Nuk ka kush t’ ua trazoj
Gjumin në kafaz!

Dhe qeni i vogël
U sëmurë nga mërzia
Se me te n’ oborr
Nuk lozin fëmija!

Dyert e oborrit –
Mbyllë me shula t’ hekurt,
Dhe tash e një vjet
S’ ka kush për t’ i prekur!

Vetura ma nuk gumëzhin,
Sirena ma nuk alarmon,
S’ ka ma mysafirë që del edhe hyn,
As telefoni më nuk cingëron!

Lajthia në heshtje
Rrinë me gjethe zverdhur,
Me fryte të skuqura,
Në gëzhvole vjerrur .

Lajthinë e molisur,
E kaploi vetmia,
Dhe pyet e habitur –
Nga na ikën fëmija?!
Nga iku Flakëroni,
Nga iku Loreta,
Pse nën hijen time
Nuk lozin me fleta?!

Pse nën hije time,
Nuk lozin me mua?
Pse s’ mi volën frytet –
Shkuan pa m’ shijua?!

Mezi rrita frytet –
Në vapë e në thatësi,
Duke na djegë dielli,
Pa ujë e pa shi!

Mezi prita ditët,
Pa lapsa e pa goma –
Që t’ ua dhuroi frytet
Gojëve të njoma!

Por, ju, nuk na volët,
As nuk na shijuat;
Na latë varur n’ gëzhvole,
E nuk na kërkuat!

Unë, ju desha shumë,
Por ju më mashtruat;
Natën, ikët pa gjumë –
Larg në kurbet shkuat!

Dardha me gemë kalaveshi,
E mërzitur e hidhëruar –
Kush s’ më preku, kush s’ më deshi,
Mbet kah ju duke shikuar!

Pse s’ më volët, s’ më kërkuat,
Shijen time të kësaj toke,
Por ju ikët edhe shkuat –
Më latë n’ vaj me degë për toke?!

Baseni i shterur nga vapa,
I ka tharë lotët duke pritur:
Flakëronin e Loretën,
Drinin e Diardin,
Rinorin e Rinën,
Arianën e Anilën!...

Dhe çdo ditë, pyet me habi –
Vallë, a mos ju kam hidhëruar?
Ku na ikën ata fëmijë,
Që nuk vijnë për t’ u freskuar?!

Ku janë fëmijët, nga na ikën,
Që në mua nuk llapuqitën?!
Tash kam mbet zbrazët pa dush,
Në mua ma s’ lahet askush!

Harmonikën e kaploi pikëllimi,
Mbet mbi raft për ta mbuluar pluhuri –
Pse s’ merr ma n’ duar Shkëlqimi,
Me ata gishta si biluri?!

Hije e rëndë i ra shtëpisë,
Heshtje e rëndë i ra oborrit,
Nuk dëgjohet zëri i Mrikës,
Me ato gjeste të humorit?!

Dielli nxehë, por nuk ka drita,
Mbi shtëpi ka rënë një hije –
Pse nuk është këtu Afërdita,
Zonjë e rëndë, kjo bijë shtëpie?!

Kalojnë muaj e vjet në prita,
Për t’ u çmallë me një takim;
Kur mungon këtu Margarita –
Kënga kthehet në pikëllim!

I molisur gjëmon defi,
Zjarr e mall gufojnë nga gjini ...
Mungon vallja, mungon qejfi –
Kur s’ më merr n’ duar Shkumbini!

Rruga e mbarë, o, fëmijët e mi,
Paçi jetë, paçi shëndet!
Ju përcjell baba me lot në sy –
N’ rrugë të largëta për n’ kurbet!