>
LETERSISHQIP

Malli I Vëndlindjes

Një zë i mekur, i trazuar në mendjen time,
I këndon të bukurave që lashë në vendlindje.

Pas hapave të gjyshit ecja për te i vjetri bli,
Fjalët e urta, i merrja me vete si një kuti.

Pastaj, ktheheshim te kulla, te i gdhënduri oxhak,
Që ngrohte jo vetem shpirtin, por dhe dejet me gjak.

Gjyshja, një qilar kishte nën mullirin me erë,
Mbante qumeshtin që zinte kajmak në vlerë.

Aroma e flisë në çerep, nën saçin plot gaca,
Thërrisnin shijen time, që nuk shuhej, si flaka!

Mulliri përshkëndiste krahët e tij në diell
Sikur një heliograf i largët që freski sjell.

Aromë e ëmbël, e nxehtë, e butë e blerimeve,
Aroma e rëshirtë e freskët e lëndinave.

Kënga e pandërprerë e gjinkallave zëlarta,
Shelgjishte të praruara veshur me prralla të arta.

Vreshtat, arat, kopshtet me pemë frutore
Lugina, kodra, burime që më ndjekin prore.

Një freski që s'e përshkruaj dot me fjalë,
Më marrin me vete, me shkrehin në mall.

Edhe burimi që më freskonte çdo ditë
Me kristalet që lëshonte, pikë-pikë, pikë -pikë...

Shpirti më ngulçon për çdo pëllëmbë toke,
Qëndro shpirt, qendro ti mendje e sime koke.