>
BIOSHQIP

(1916-1993)

Biografia
Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993.
Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse
ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar. Esad Mekuli, shkollën
fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në
Pejë në vitin 1936. Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua
në fakultetin e veterinarisë në Beograd, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e
në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës
i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo
herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë
ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u
burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef
i policisë. Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar traktin për shpërnguljen
e shqiptarëve për në Turqi. Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës
kulturore të studentëve. Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës Beogradski
student. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj
ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi
Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera. Në këto revista ka shkruar në
gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka
mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. Si student përparimtar ai u burgos në vitin
1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq "Gllavinjaqa", prej nga u amnistua me 2
prill të vitit 1941. Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale
dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e
Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe
në Itali. Në fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor
i gazetës ilegale partizane Lirija.
Edhepse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës
së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në
gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku
arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë
shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi
me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri,Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në
gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne
novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Pdgoricës, Bagdalla të
Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit. Esad Mekuli ishte kryetari i parë
i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i
Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në
poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas.
Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad
Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane
e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Esad Mekuli ka shkruar edhe me
pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.