>
BIOSHQIP

Evi Reçi: Koha Ime E Lirë Ka Lidhje Me Muzikën Dhe Artin

12-09-2012
Edhe pse jeton në Itali këngëtarja Evi Reçi asnjëherë nuk i ka munguar skenës shqiptare. Ajo është prezente kudo nëpër mbrëmje muzikore dhe në festivale në Shqipëri. Edhe këtë sezon vere ajo na bënë të ditur se ka qenë mjaftë e angazhuar kudo në vend, dhe tani aktualisht po përgatitë këngën e re të cilën shpreson ta lansoj bashkë edhe me videoklip.

Pasioni i Evit është kënga, ndërkaq është duke specializuar në fushën e gazetarisë, profesion ky që i ka pëlqyer gjithnjë. Ajo aktualisht po bënë jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, duke mos dashur te flasë edhe për dashurinë e saj.

Por ajo që atë e bënë të ndjehet mirë vetëm kënga. Në intervistën dhënë "Zërit" Evi flet për punën dhe aktivitetet e saj në Itali.

Me çfarë je e angazhuar aktualisht?

Aktualisht jam duke menduar për këngën e re, në realitet edhe për stilin e realizimit të këngës dhe në fund edhe bashkëpunimin me kë dhe ku do ta punoj. Ende nuk kam vendosur që këtë këngë ta realizoj për ndonjë festival, apo do ta lansoj si një singël të shoqëruar bashkë me videoklip. Tani për tani e di që kënga do të realizohet në mënyrën sa më të mirë dhe me mjaftë kualitet.

Kënga që hapi dyert e suksesit të Evit?

Në realitet atje ku publiku më njohu ishte kënga apo thënë më mirë dueti me Florin "I ngjan asaj''. Kjo këngë më hapi shumë rrugë për të depërtuar më tutje. Dhe më pas pason edhe kënga "Dhe jemi të dy" e cila këngë ende vazhdon të dëgjohet mjaftë shumë. Kjo këngë për një kohë të gjatë ka qenë hit dhe i ka prirë toplistave në vend.

Deri më tani keni eksperimentuar në disa zhanre muzikore, mirëpo cili prej tyre ju tërheqë më shumë?

Është e vërtetë që kam eksperimentuar në disa rryma muzikore. Mirëpo ajo që më bënë të ndjehem më mirë është zhanri Jazz dhe Pop, natyrisht këto janë dy zhanre me kahe të ndryshme por që mua më pëlqejnë. Por ndonjëherë kur është nevoja këndoj edhe ato rryma që ndërthyejnë elemente tradicionale në një këngë.

Kujt ia dedikon meritën më të madhe krahas karrierës tënde?

Deri më tani mund ta veçoj Florin me të cilin kam bashkëpunuar më së shumti. Por nuk mund pa e cekur edhe Adrian Hilën me të cilin e nisa edhe karrierën time muzikore. Jam me fat që kam dy bashkëpunëtorë të mirëfilltë siç janë Adriani dhe Flori.

Çfarë mund të na thuash për këtë sezon vere?

Kam pasur aktivitete mjaft interesante, si për shembull "Summer Fest" që është mbajtur në Pogradec dhe koncertin që organizoi Komuniteti Evropian në bashkëpunim me Olen Cezarin dhe orkestrën e tij. Gjithashtu kam pasur edhe disa koncerte të tjera nëpër qytete të Shqipërisë. Pastaj në disa vende të Kosovës, Maqedonisë, me të vërtetë këto mbrëmje më kanë bërë të ndjehem mirë dhe kudo kam kaluar për mrekulli me adhuruesit e mi.

Çfarë bënë Evi në kohën e lirë?

Aktualisht jam studente për Komunikim, Media dhe Gazetari. Jam në vitin e parë të specializimit. Ndërkohë që jam dhe moderatore në Radio Fleur të Firencës. Këtu në Firencë në kohën e lirë zakonisht organizohemi për të bërë ndonjë cover me banda të ndryshme të rinjsh që ka qyteti.

Shpeshherë janë bërë cover dhe këngët e mia kanë qenë më të kërkuarat dhe sinqerisht është një emocion shumë i madh. Me pak fjalë koha ime e lirë konsumohet mbi muzikën dhe artin.

Ju tërheqë më shumë kënga apo gazetaria?

Të them të drejtën këngën e konsideroj si hobi dhe natyrisht që më pëlqen shumë. Ndërkaq gazetarinë e kam profesion në të cilën edhe synoj të merrem në të ardhmen, por pa u shkëputur asnjëherë nga kënga.

Planet e juaja në sirtar?

Kam shumë gjëra dhe ide në sirtar. Shpresoj ti realizoj të gjitha! E sigurta është që do të keni shumë muzikë dhe këngë të reja nga unë!
(Zëri)

Evi Reçi: Koha Ime E Lirë Ka Lidhje Me Muzikën Dhe Artin