>
BIOSHQIP

Fanushe Ahmetaj: “Kënga Për Mua është Vetë Jeta”

12-11-2016
Fanushe Ahmetaj është artistja, këngëtarja e muzikës popullore, e cila me talentin e saj e ka bërë për vete publikun, duke kultivuar këngën e mirëfilltë shqipe, ndaj jo më kot nga artedashësit mori epitetin "përfaqësuese e elitës artistike mbarëkombëtare". Ajo tashmë renditet ndër zërat më të bukur dhe është njëra nga figurat e ndritura të skenës sonë, e cila pranoi me dashuri t'i shpalosë kujtimet, veçantitë e saj dhe më të rejat që priten nga ajo, në këtë intervistë që ju ftojmë ta shijoni... Teksteshqip: Ç’përshtypje ruani nga fëmijëria juaj? Fanushe Ahmetaj: Nga fëmijëria ruaj përshtypjen e të qenurit fëmijë pa brenga, ajo bota ime e vogël plot jetë, edhe pse rriteshim në një sistem monist, pa të drejta. Fëmijëria ime ishte si e gjithë të tjerëve, vetëm se unë dalloja me ambicjet dhe talentin që kisha dhe përveç se isha nxënëse shembullore, unë posedoja edhe vlera të cilat më vonë do të reflektohen te tjerët. Kam shumë kujtime nga fëmijëria, e njëra që e kujtoj shpeshë është kur kam pasur paraqitjen e parë në skenë më rrethuan me shumë dashuri shoqet dhe shokët e klasës duke më përgëzuar. E ndjeja se më ishin skuqur faqet, e lumtur për atë që përjetoja. Një përshtypje tjetër që e kujtoj është edhe bota ime e librit, duke qenë se si e vogël lexoja literaturë nga autorë shqiptarë dhe botërorë. Teksteshqip: Po talentin tuaj për muzikë, kush e dalloi? Fanushe Ahmetaj: Talentin për muzikë e vërejtën arsimtarët e mi që në klasën e tretë kur për herë të parë në një skenë të improvizuar në programet shkollore interpretova dy këngë: “Tuj shëtit te guri I pusit” dhe “Fryni era u çel taraba”, nga ku unë jetoj bashkë me këngën.



Teksteshqip: Në të vërtetë, ishin vite të arta ato kur nisët karrierën muzikore? Fanushe Ahmetaj: Ishin vite të arta atëherë, sepse kultivohej kënga e mirëfilltë shqipe. Atëherë kishte vlera, kurse sot…?! Teksteshqip: “Kosovë” kur është thënë, ç’emocion ju ka dhuruar? Fanushe Ahmetaj: Do ta citoj një thënie të shkrimtarit tonë të njohur, Ali Pordimja: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Kosova për mua është vetë jeta. Përpjekjet tona shekullore, e sidomos gjenerata jonë, sakrificat për të mbijetuar me dinjitet, e për të krijuar shtetin tonë kanë qenë aq të mëdha, sa nuk kemi kursyer asgjë. Kemi dhënë shumë për vendin ku u lindëm dhe po rritemi, të cilin nuk do ta kisha tjetërsuar për asgjë të kësaj bote. Këtu ku jetuan edhe të parët e mi, këtu për këtë tokë familja ime dha shumë djem, që nga viti 1918, e deri në luftën e fundit ku dëshmorë ranë vëllai Ismeti, e nipi Jetoni. Çdo sukses të Kosovës e pres me emocione deri në lot, se atdhedashurinë e kam të mbjellur në shpirt, kështu jam e edukuar. E shoh, tani rinia paksa mendojnë për Kosovën, por mjerisht e kemi shtetin që nuk funksionon në të mirë të popullit. A po shkon Kosova drejt shkatërrimit? Gjithë ai gjak i derdhur, gjithë ajo sakrificë ndër shekuj, a shkuan huq? Pse i vënë para interest personale, e jo ato kombëtare? Këto pyetje më sillen në kokë duke parë gjendjen e popullit tim. Krerët e shtetit duhet t’i thirrin mendjes që ta ndryshojnë kursin për një Kosovë të re, ku të gjithë të jenë të lumtur. E meritojmë të jetojmë të lumtur pas gjithë vuajtjeve të shkaktuara nga armiqtë shekullor.



Teksteshqip: Po kënga “Na çeli prapë thana”, si lindi? Fanushe Ahmetaj: “Na çeli prap thana” është një këngë e Shqipërisë së Mesme dhe është kënga që e dua gjithnjë, e kam të rregjistruar dhe me shumë ëndje e interpretoj. Kjo këngë për fabulë ka gurbetin, një plagë shekullore e jona. Sa herë e këndoj, më jep emocion të papërshkruar. Teksteshqip: Cilët bashkëpunëtorë ju përshtaten më së shumti? Fanushe Ahmetaj: Ata që krijojnë shqip, se kriterët e mij janë të tillë që nuk pranojnë tinguj të huaj, ngjyrosje. Pavarësisht ndryshimeve, teknologjisë së re, pse duhet huazuar, kur kënga shqipe është vetë më e bukura në botë?! Për fat të mirë bashkëpunëtorët e mi i njohin kërkesat dhe krijojnë për mua vetem “shqip”. Teksteshqip: Si mendoni, janë bërë goditje në vlerat e vërteta muzikore? Fanushe Ahmetaj: Tani gjithçka është ngatërruar dhe po anashkalohen vlerat. Shembull më i keq është kur portalet, televizionet private, mediumet e ndryshme ju japin hapësirë antivlerave, e jo talentëve të mirëfilltë. Kjo është për t’u qarë! Teksteshqip: Keni profesion të dytë, apo merreni vetëm me muzikë? Fanushe Ahmetaj: Në fakt, profesioni im është ekonomia. Kam mbaruar magjistraturën për ekonomi dhe punoj në Bankën Qëndrore të Kosovës. Ju e dini që viteve të ’80-ta, deri në fillim të shekullit të ri nuk fitohej nga kënga, ndaj përzgjodha një profesion të dytë, të cilat janë dy dashuri të pandara të jetës sime.



Teksteshqip: Na e përshkrani një ditë të zakonshme tuajën! Fanushe Ahmetaj: Një ditë vikendi fillon me kafen e mëngjesit me bashkëshortin në shtëpi, pastaj ndonjë punë shtëpiake, e dita përfundon në ndonjë nga lokalet ku i frekuentojmë me bashkëshortin. Shpeshë dalim edhe në Gërmi me familjarë e shoqëri, ose shkojmë në Dukagjin, prej nga e kam prejardhjen. Ditëve tjera të javës jam në punë dhe puna ime fillon në 8 të mëngjesit, deri në orën 16. Punën e bëj me kënaqësi, ndaj dhe i përkushtohem shumë. Teksteshqip: Me ç’projekt do i befasoni fansat këtë fundvit? Fanushe Ahmetaj: Për këtë fundvit kam realizuar dy projekte: kënga dhe videoklipi i ri “Kur flasin heronjtë”, ku bëhet fjalë për heronjtë, të cilët kuuvendojnë për bashkimin e trojeve shqiptare. Tekstin dhe muzikën e ka bërë kompozitori ynë i njohur, Naim Gjoshi, ndërsa orkestrimin Burim Krasniqi. Kurse projekti tjetër është një këngë lirike që titullohet “Trokas në zemrën tënde” me tekst dhe muzikë të Fatmir Mujës. Të dyja këngët do jenë pjesë e xhirimeve të fundvitit, e shpresoj se do priten mirë nga publiku! Teksteshqip: Ç’mendoni se ngeli pa thënë, që patjetër nuk mund t’i ikim në bashkëbisedë? Fanushe Ahmetaj: Për fund dua t’i falenderoj të gjithë adhuruesit e këngës sime që vite me radhë më mbajnë në skenë. Unë besoj se gjithnjë ju kam dhuruar këngë të bukura shqipe dhe do vazhdoj kështu deri sa të më lërë zëri. Portalin tuaj TeksteSHQIP e falenderoj për intervistën dhe uroj suksese pafund në punën tuaj. Teksteshqip: Faleminderit shumë, sa më tepër arritje dhe për ju! Fanushe Ahmetaj: Nderime!
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Fanushe Ahmetaj: “Kënga Për Mua është Vetë Jeta”