Shkumbini

Të pashë në ëndërr nga Londra
duke bërë flirt me grykën e Krastës,
si një dashnor i fortë. Këndoje. Jehonë njeriu.
Të ndjeva teksa ia lagje këmbët Myzyrit,
me gotën e rakisë në buzë e me duart violinës
ia pikturoje gjinjtë Fitit.
Nuk vinin tek ti të dehur, por deheshin kur shihnin vajzat.
Kapur dorë për dore djemtë, vetë majat,
hidhnin vallen e Ditës së Verës,
hija e tyre pushtonte ograjat,
kujtime të fëmijërisë që shterrën.

Ti ishe termometri ynë.
Me ty masnin temperaturat, shirrat, stuhinë,
me ty u bënim gargara bahçeve,
me ty bëheshim si një stinë.

Tek ty ne lanim ëndërrat,
seç na dukej se i bëje karshillëk planetit tjetër,
kur tek ti kriheshin femrat,
djemve ua gazëlloje jetën.
Perënditë të kanë gjetur në një lotë nimfe,
tutje freskisë në malin Valamarë,
arterien ta kthyen e ta drejtuan mes lutjesh,
të vije i paqtë në Elbasan.

Ka mbetur në ëndrën time të freskët,
trupi yt i mbytur në lotë,
por jo si ai lot nimfe i hershëm,
na mundon tjetër lot të dyve sot.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1