Dialektika E Urimeve

(Kushtuar binjakëve të mi në ditëlindjen e tyre)

Ditëlindjet e fëmijëve në raste të ralla dalin nga struktura
të ngulura mes dhëmbëve me llokume, bëjnë akrobacinë sublime.

Arsyet janë të panumërta, janë vetë vitet.
Brenda kundrinave të ndryshme jetike ku perceptimi rritet.

Të tjerat arsye, natyrisht janë të shumta. Janë strukur pas urimeve,
gjuhë të tjera plotësojnë, numri i mesazheve në celulare, telefonatat
humbin dhe zmadhohen në hapësirën dixhitale
e vijnë nga malli e lotët e gjyshërve dhe gjysheve
që nuk i vunë në dorë okllaijat e bakllavave.

E kushërrinjtë, farefisi, shokët e miqtë, komshinjtë e vjetër,
përcjellin urimin në rrjetet sociale, që patjetër
e bëjnë xhirron përreth botës me ikjet e tyre,
të zverdhura në letër.

Të gjitha arsyet bëjnë marrëveshjen e tyre rreth së vërtetës
e flasin pa zë si paketa kushtetuese e shtetit ku jetojmë
për të ecur me ndryshimin e jetës.

E vetmja ndryshesë e pandryshueshme është “Gëzuar ditëlindjen!”
një gonxhe që shpërthen pa ndryshuar modë dhe stinë
mbi kartolinat dhe mesazhet që vijnë.

Urimet udhëtojnë shekujve si të vetmet fjalë të lira
as fjalorët nuk merren shumë me to
ashtu kanë sofrabezin e tyre, ndoshta që nga e mbira

Janë udhesa të ndjeshme që ritrazojnë kohën një herë në vit
për të bërë një detyrë sublime
në asketin e grisur ku bëjnë dialektikë vetëm perënditë.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1