>
LETERSISHQIP

Vetëm Për Mua

Në fëmijëri kam kujtuar se gjërat ishin aq të thjeshta
kur isha nxënës librat i ndjeja duke i ledhatuar,
lexoja mes tyre gjëra të fshehta. Sytë më picëlloheshin
nën jorgan drithma kapërcehej gjatore,
mendja hapej e mbyllej si një fletore,
me zërat e ulëta të prindërve në dhomën e tyre,
pëshpëritej aritmetika e tyre për fasulen e dimrit,
zairenë e stinës së ftohtë,
refren ishte jeta jonë,
kacarumave të boshatisura të misrit...
Shtëpia jonë ishte e ngrirë:
tjegullat ishin shenjat e dallëndysheve
të ardhjeve dhe ikjeve. Unë nuk i harrova ato,
as rrasat e rrudhura si balli i njeriut të asaj stine,
me thesin e halleve pas shpine.
Vetëm për mua për ti lexuar në heshtje
e jo para sallave me panaire librash
si të listës me ushqime të papaguara,
koha vërtet i kapërcen dimrat e rrahur me dengje akulli,
vetëm për mua s’është e kaluara,
akull në çdo pore që ka lëkura,
vetëm për Mua...