(A)ferra

Gjithmonë kam gjetur fruta të egra në botë,
aq të ëmbla,
sa nuk i beson vetë bota e egër,
të ëmblat fruta,
sa vështirë që nuk besohet e vërteta,
qoftë ajo me frutat e egra,
që nga koha kur u zbutën,
e shprishën fatet e tyre të qeta.
Se kam dashur të lë pas një ditë timen
të humbur pa fruta të tilla,
fruta të egra,
të rritura e të përkëdhelura vetëm nga natyra,
nëpër ferra.
Unë kam dashur shijimet e gjalla
të përballen në rrugëtime,
e largët është koha kur fliste vetëm shpella,
gërvishtja intime në gurrë monolite,
mendime të ëmbla e të thella,
ndodh që sot janë edhe ato të egra,
ndodh që prodhohen nga (a)ferra.
Duke udhëtuar në vitet e tjera,
njeriu i harroi frutat e egra,
të egrat fruta mes fjalëve u tretën,
që fjalët të ndryshonin mish-udhën,
por mjaft fjalë të egra mbetën që mbetën,
drita e ndriçimit i la vetëm,
ja tek i shoh përditë para syve,
edhe pse unë duhet ende të mbaj sekretin e tyre.
Le të më hyj në punë jo vetëm për vete,
deri në një livadh të pjerrët ku bari rritet i trashë
unë do të pëshpërisë mes luleve këtë çështje,
ka disa lloje të gjërave që e bëjnë njeriun më të sëmurë,
kur ngatërron me ose padashje
frutin e nënës natyrë.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1