>
LETERSISHQIP

Gërrhet Qyteti Im

Ti gërrhet pranë meje unë tulatem,
dhe i puqur me fytyrën tënde tres gjumin,
ashtu siç bën ti me Shkumbinin,
e mban në rrjedhë, ia përcjell zgjimin.

Qyteti im, jemi një,
lëvizim sy dy kandila të ndezur,
unë në rrugën time të re,
Ti në bahçen e përzgjedhur.

E të dy kemi një hall,
gjumi netëve na shket,
unë për Ty kam mall,
Ti për betonin, që të vret.

Aty poshtë dergjet historia,
si fosile e lashtë e Kalasë,
qytetet e tjera i marros xhelozia,
se dhe guri yt ka nisur të flasë.

Në një shkëlqim të errët nate,
Kalaja është një strehë e artë,
të mbaj në krahë pranë meje,
edhe kur të gjendem larg.

Ti s’fle ndaj kemi të njëjtat shqetësime
përpos ullishtes vjen duke u mekur,
Zarranika këndi i fëmijërisë sime,
Arrat e Gjata janë drobitur,
dikur plot me ujëra e kroje,
të dy sot mbesim habitur,
nga hemorragjia mitrore.

Mbrëmë të kërkoj ndjesë,
u përfjeta keq, Qyteti im,
ëndërrat më mundën me finesë,
ndaj të shkruaj plot përmallim,
teksa laja sytë me lule vere,
në ëndërr të pashë me trishtim,
s’kishe bahçe si atëhere.

U ula të pija ujë në ‘bukën e derrit’
e këputa shpejt hisen e ndarë,
para mu shfaq “Ulliri i qefit”,
“Kroi i Kalit” fytyrëvrarë,
u tura tutje “Çezmës së Lepurit”,
po Ti, Qyteti im s’më the një fjalë.

Ti gërrhet pranë meje, unë rri dremitur,
ajri hua më përkëdhel fytyrën,
të duam në këngë, jo të mërzitur,
ndaj dhe Myzyri mban gati violinën.