>
LETERSISHQIP

Anarki

Grimcat e ajrit shtyjnë njëra-tjetrën,
dekolte të tejdukshme në mish,
pështillen në shpirt të erës,
mbi kurrizin e kithët të lumit Tamiz.

Mijëra hije poshtë rjedhës i struken poterës,
arnojnë rrezet e konsumuara të vjeshtës,
tek-tuk një i vonuar zë e cicërron,
më shumë për inat të mjelmës,
që turret mbi një peshk që më s’noton.

Nga këndi ku tik-taku i Big Benit varret mbi urë,
një grup turistësh mbjedhin grimcat e ajrit,
horizonti pështjell me pelerinë gri, blunë,
Londër, është e shtunë,
tret si shkumë stacion i mallit,
poshtë hapave, më bëhet këngë,
projekton grima refrenesh në lumë.

Larg mallit rrëshket pa u ndjerë,
astari i lotit si një rrjetë,
arnon asimetrinë e bregut ndarës,
sedefi i fjalës bëhet fletë,
nën qyrkun vremçë të natës,
vetëm vargu merr jetë.

E di ti lëviz mes grimcave të ajrit,
shëtis buzët dhe të ndjej të metaltë,
një puthje e dënuar pos fatit,
qenka si goditja e këpucës në asfalt.