Intelektualizëm

Cullak zërat ngjirren mes reve. Hija
përthyhet në një gropë që la shkulja e një guri
nga era e ftohtë e furishme
u tremb edhe vetë dimri, edhe vetë burri
kjo botë e ardhur nga pas reve
lëviz mes nesh edhe pse e padukshme
s’ka kush këmbët t’ja shoh,
s’ka kush ta dëgjojë,
një dyzim që ikën tutje larg,
tërkuzet mbi litarë shiu,
ashtu si melodia e një muzike të vrarë
nga gishta të trashur kozmetike,
fjala struket tinëz, paparë,
dhe helmi mbetet lule më lule.
Kjo botë e ardhur nga pas reve,
viziton përditë njeriun e paqëndrueshëm
ndryshe nga zemra i përqaset fytyra
harmonia e mbrëmjes dhe dita plot ngjyra
dhe yjet mbi re natyrisht,
modelohen në këtë stinë të fryrë marëzisht,
gjithandej mes nesh, e padukshme,
i dashur dhe e dashur në një mister,
fryma e bukurisë, shenjtëria që shkëlqen
copë e truptë mishi për tu dukur,
mendim njerëzor i formësuar, ku je zhdukur?
Ashtu si çdo gjë, që për hirin e saj mund të jenë
valë që shkulin zemra të dashuruara,
frymëra dhe puthje që vijnë nga shekujt,
dielli që s’pyetet për rrezet e tij,
hëna për dritën që sjell dhe meket,
yjet që flasin në vetëm një gjuhë,
kjo valë e madhe që na sjell veç trokë,
me ngjyra të vjellura ylberesh,
ushqehen nga lumenjtë e lotëve,
që solli kjo botë. Hija
vazhdon të ushqejë të pajetën e fjalës,
zbehet sa herë është e (pa)treguar,
se frikë është edhe lindja, frikë edhe vdekja
zgjidhje në dritën e kësaj toke,
errësirë e gjatë, e tretjes,
përse njeriu ka një fushë të tillë?
Dashurisë dhe urrejtjes,
depresionit dhe shpresës,
asnjë zë nuk i jep më dritë,
e pazëshmja ka lindur me fat,
memecëria kryet ka ngritur,
prandaj edhe bletët s’janë më në garë,
asnjë zë nga bota e nektarit, pllenimit,
vetëstruket sherebela, akacja e shkretë,
është koha e zjarrmtë, koha e fjalimit,
prandaj është edhe kjo perde rresh në qiell,
mbyten përpjekjet e kota mes tymit.
Dhe pas reve, poshtë tyre dhe ngado,
shohim dhe heshtim, jemi të pazëshëm,
zhurmën që bëjmë madje s’e dëgjojmë,
nga vetja nuk dimë më se ç’kërkojmë,
vetëm melodinë e dërguar nga nata,
e pështjell mes djersëve çyrryk vapa,
ku shpresa dhe njeriu i pushtetshëm,
janë të vetmit instrumenta,
pastaj në doni mos besoni,
dashuria, arsyeja dhe vetë fjala,
nga vetë retë njeriu i huazoi.
Dhe errësira nuk ka frikë më nga flaka,
nuk vdes më ajo nga drita e fortë,
të dyja kanë gjetur tashmë kartat,
të dyja flasin me një gojë...
largohen kur vjen vetëm hija,
ajo është pushteti që bën palë,
së fundi po ankorrohet dhe fantazma,
mjerrë populli që beson do bëj pallë.
Ditët bëhen më solemne. Intelektualizmi
në hartën e avulltë të mesditës,
gjithkush kërkon shenjën tënde,
të shkruaj fatin tym pas reve,
me bojën e gishtave qiellorë të Irisit,
‘sot është dita t’i besosh ... edhe ariut’,
se kur të kemi vapë sërrish,
të lëshojnë ‘shiun’ për të gjitha llojet e njeriut.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  2