Tema: Poezi Dashurie

Një Shenjë E Pashqiptuar

Ishte kohë muzgu.
Një e moshuar u glasua nga shpendët,
të pafajshmet krijesa poshtë urës,
u çmendën…

Në kohë muzgu të kësaj bote të vetmuar,
trazirash nga betejat me veten,
glasa u quajt e trukuar,
lajmi mbushi gazetat e Londrës,
glasa i kishte prishur të moshuarës bojën e kokës,
dhe pastaj u gjobit Bashkia,
pse urës i mungonte çatia?!

Ky lajm më bënte të etur,
të kërkoja të tilla lajme nëpër gazeta,
në një tjetër gjethet e rëna të një peme të vdekur,
kishin bërë lajm se toka s’i kishte tretur,
sepse fare rastësisht e krejt papritur,
një grua e moshuar kishte rrëshqitur.

Pastaj mendja më fluturoi atje,
ku jetojnë prindërit e mi në Atdhe,
lexova disa gazeta me emocion,
atyre nuk u kishin paguar dy muaj pension…

Ishte kohë muzgu edhe atje,
kohë që lexonte lajmin e trishtuar,
për të moshuarit, or mik në Atdhe,
ky lajm është një shenjë e pashqiptuar…

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1