Skajore Poetike

Dhe prapë u bë natë. U ndez drita,
retë u shtriqën si çarçafë,
pra, i mrekullueshëm ai skaj i ndritshëm
ishte dhe s’ishte natë,
kjo pjesë e jetës sonë të përditshme,
një varg, një dhuratë,
venë verore
e shkurtër,
imagjinatë.

Më magjepsëse ishe ti se yjet atje lart
zanore e bashkëtingëllore u ngjizën, tërhiqeshin,
ndiznin zjarr.

Sepse unë të ndjeva me të madhe nën kube dritash
shkulme në agim,
dhe ne ishim vetë germat në shpërthim,
shtrydhnin rimat e paqta e të qeta,
bukuria kishte mbushur vargun tim.

Kishim gjetur burimin e rinisë,
nëpër kopshtin e ndaluar,
ishte dhe s’ishte natë,
në një të katërtën koordinatë
pushtetëzohej me një fytyrë mëdyshje,
metafora që ti bezdisje.

Unë e di e kam gjetur një kyç të vërtetë,
gjënë më të bukur që mund të më bëjë të qetë,
është kur jam një varg i lirë,
e mbjell, e zgjedh dhe e zhys në deje,
kam arritur kështu të prekë poezinë brenda meje.

- poezi nga Fatmir Terziu


Nuk ka akoma asnjë votë