>
LETERSISHQIP

Shën Valentinët Shkruajnë Libër

Nuk janë lulebajamet e trëndafilta që mbolli Julia. Valentini
i dedikuar nuk është mes petaleve,
nuk janë gonxhe të shkulura ku rojtarët të shohin shtrembër
nuk është Jasoni që ndau detrat për të gjetur bashkën e artë
e që e gjeti pastaj.
Nuk janë feakasit që u grindën me Poseidonin
sepse kthyen Uliksin në Atdhe,
janë gishtat e mia,
ledhatojnë vitet në emrin tënd
vitet që ecin mes nesh bashkë me fëmijët,
ku ngritëm strehën më të bukur të jetës dashurinë.

Ti fle.

Dora ime lehtazi trazon trupin tënd të butë
bëhet varg i pashkruar në poezi dhe mbush natën,
bëhet këngë në korrin e brendshëm,
bëhet trëndafil në harkun e buzëve ku flenë puthjet.

Ikin nëpër natë me qilima të zbukuruar mbi shpinë,
yjet që përplasen mbi xhamin e dritares,
puthjet u bëhen buzëqeshje e ngrohtë
e Ti, zgjohesh, më thua ke fjetur e qetë
nga buzët trëndafil e kuptoj.

Bashkë me natën e gjatë, me shiun londinez, me dimër,
pena e qetë rendit vargjet,
me dashurinë që na dhuroi jeta shkruan një libër,
jo thjesht për Shën Valentinët e largët,
por për vitet që pranverat i bënë dimër.

Nuk janë lulebajamet e trëndafilta që mbolli Julia. Valentini
i dedikuar nuk është për hir të ikjes,
nuk janë gonxhe të shkulura ku rojtarët të shohin shtrembër
nuk është ballkoni ku shkundnim petalet,
as rruga e blirave atë kohë të largët,
janë duart e mia, të tuat, të mjaltët,
ledhatojnë mes nesh kohëdashurinë, fëmijët,
rrugën ku bashkë projektojmë të ardhmen.